Çitaku: Në një qendër votimi në Drenas janë arrestuar tre persona për fotografim të votës

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se në një qendër votimi janë arrestuar tre persona për fotografim të votës. Në një konferencë për media, ajo shtoi se deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet kryesisht mirë dhe ka dalje të qytetarëve.

Ajo deklaroi se vota e sotme është votë për të ardhmen e përbashkët për zhvillim dhe për dinjitet.

“Katër vite janë shumë, katër vite janë një jetë, ku ato vite i udhëheq një ekip që punon me ndershmëri, me vizion dhe dashuri për qytetin. Prandaj vota e sotme është votë për të ardhmen e përbashkët për zhvillim dhe për dinjitet. Ne besojmë tek qytetarët e Kosovës, ne besojmë në demokracinë tonë dhe jemi të bindur se kjo ditë do të përmbyllet me sukses, me pjesëmarrje të lartë dhe me një proces të lirë dhe të drejtë për të gjithë. Pak para se të dilja këtu u njoftova nga dega jonë në Drenas që falë intervenimit të vëzhguesve tanë në një qendër votimi janë arrestuar tre persona për fotografim të votës. Kur të kemi detaje më tej do të ju njoftojmë”, deklaroi ajo.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.

“Siç e dini Partia Demokratike e Kosovës garon me më së shumti kandidatë në këto zgjedhje lokale. Nga të dhënat që kemi marrë deri më tani nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet kryesisht mirë dhe ka dalje të qytetarëve. Qytetarët e Kosovës po dalin të votojnë dhe po e marrin në duart e tyre përgjegjësinë për të zgjedhur drejtimin e qeverisjes së tyre lokale. Siç kemi theksuar gjithmonë qeverisja komunale është qeverisja më e rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve. Me nivelin lokal përcaktohet cilësia e jetës së qytetarëve, mënyra si funksionon komuniteti ynë dhe sa afër është komuna është me nevojat e qytetarëve. Prandaj edhe sot, PDK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin e të votojnë. Të votojnë me përgjegjësi dhe me bindje e shpresë, të votojnë për të ardhmen që e duan dhe që e meritojnë”, shtoi ajo.

Sipas platformës së KQZ-së, deri tani të drejtën e votës e kanë ushtruar 160 mijë e 421 qytetarë në nivel vendi, apo 7.92% e qytetarëve të Kosovës.

Në Drenas deri tani kanë votuar 4 mijë e 679 qytetarë nga 57 mijë e 342 me të drejtë vote apo 8.16% e votuesve kanë ushtruar të drejtën e tyre në këtë komunë.

Të tjera

Aktuale

Fushë Kosova befasia e zgjedhjeve

Balotazh do të ketë në komunën

Aktuale

Exit Poll-i në Drenas vjen me një befasi të papritur

Exit Poll-i i gazetarit Baton Haxhiu