Misioni i OSBE-së në Kosovë ka riafirmuar mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se vendimet e saj duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, pa ndikuar apo ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në punën e saj.
Në reagimin e bërë publik, OSBE-ja ka theksuar se pavarësia e institucioneve gjyqësore është një gurthemel i shoqërisë demokratike.
“Misioni vëren me shqetësim deklaratat e fundit publike dhe iniciativat që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, synojnë të sfidojnë ose diskreditojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Përpjekjet për të politizuar punën e Gjykatës dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, e dëmtojnë besimin e publikut në institucionet e Kosovës, e gërryejnë sundimin e ligjit dhe mund të vënë në pikëpyetje zhvillimin demokratik të vendit. Misioni i OSBE-së nënvizon se pavarësia e gjyqësorit është një domosdoshmëri për demokracinë”, thuhet në reagim.
Tutje, OSBE-ja ka theksuar se përfaqësuesit politikë dhe institucionet kanë përgjegjësi për të respektuar autoritetin e Gjykatës, duke forcuar besimin e publikut në kornizën kushtetuese të Kosovës dhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
“Misioni u bën thirrje të gjithë akterëve politikë që të mbështesin konstituimin e Kuvendit në përputhje me kornizën ligjore dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me Kuvendin dhe me deputetët e tij, pasi ai të jetë konstituuar plotësisht,” përfundon reagimi i OSBE-së.
Ky reagim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të martën konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar dhe se duhet të zgjidhet një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Deputetëve iu dha afat prej 12 ditësh nga publikimi i aktgjykimit për ta përfunduar konstituimin, vendim që u mor pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe.



Të tjera
Aktuale
Cakolli: Përbërja e KQZ-së reflekton numrin e Grupeve Parlamentare jo të deputetëve
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë
Aktuale
Sulmet izraelite ndaj Libanit janë ‘shkelje flagrante’ e armëpushimit, thotë presidenti iranian
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se
Aktuale
Abdixhiku: Kushtetuta është dokumenti themelor që vulosi shtetësinë e vendit tonë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,