Qeveria në detyrë po akuzon Serbinë se po refuzon të zbatojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023.
Një ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, tha se nuk do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, si dhe paralajmëroi “shumë surpriza” në lidhje me fushatën e Serbisë për ç’njohje të Kosovës, në ekzekutiv kërkojnë reagimin dhe veprimin e faktorit ndërkombëtar, siç thonë, ndaj destruktivitetit dhe refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë në dialog.
Në Bashkimin Evropian nuk kthyen përgjigje për KosovaPress në lidhje me deklarimet e vazhdueshme të Serbisë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, derisa njohës të procesit të dialogut thonë se qasja destruktive e Serbisë në dialog është e pritshme.
Javën e kaluar në Bruksel është zhvilluar raundi i radhës i dialogut Kosovë–Serbi në nivel të kryenegociatorëve, por që palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të zbatuar ato pikat e marrëveshjes që i shohin të rëndësishme.
Ndërkaq sot (e enjte) po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, Thomas Busch, këshilltar kryesor politik i përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, njëherësh kryenegociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se deklarimi i Gjuriqit kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës është një tjetër provë e radhës se Serbia po shkel haptazi nenin katër të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
“Pas takimeve të fundit në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, ky deklarim është tjetër provë e radhës e refuzimit të Serbisë të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit dhe shkeljes haptazi të nenit 4 të marrëveshjes. Serbia nuk është e gatshme dhe e vullnetshme të jetë bashkëpunuese dhe konstruktive në procesin e dialogut. Po faktori ndërkombëtar kur do ta marrë seriozisht dhe të veprojë ndaj këtij destruktiviteti në proces dhe refuzimi të vazhdueshëm të Serbisë”, thotë ai për KosovaPress.
Në anën tjetër, njohësi i procesit të dialogut, ish-diplomati Blerim Canaj, thotë se destruktiviteti i Serbisë në dialog nuk është risi, derisa shton se edhe vonesa e formimit të institucioneve në Kosovë e kanë shtyrë progresin në dialogun Kosovë–Serbi.
Madje, ai akuzon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ka devijuar procesin e dialogut nga qëllimi fillestar që ka qenë njohja reciproke.
Sipas tij, pavarësisht deklarimeve publike, nga zbatimi i obligimeve në dialog nuk mund të ikin as Kosova dhe as Serbia.
“Shtyrja apo bllokimi i formimit të institucioneve, edhe të parlamentit në këtë rast, natyrisht se e shtyn edhe procesin e dialogut. Dialogu ka devijuar që nga ardhja e Albin Kurtit, pasi të gjithë e dimë se ne kemi bërë dialog që të kemi një njohje të ndërsjellë dhe shumë çështje të tjera, të cilat nuk janë temë. Sa më shumë që po zgjat, po devijon nga qëllimi fillestar i dialogut. E para, nga dialogu nuk mund të ikim përveç nëse ndryshon komplet gjeopolitika, dhe e dyta, sa më shumë që po zgjat, aq më keq po bëhet. Këtu është problemi, pasi kemi një frikë të strukturës politike të Kosovës që të marrë përgjegjësi”, thekson Canaj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, të mërkurën në intervistë për një media në Serbi tha se “për Serbinë, anëtarësimi i Prishtinës në Kombet e Bashkuara është absolutisht i papranueshëm”.
Kosova dhe Serbia janë dakorduar në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe më pas për aneksin e Ohrit, mirëpo kjo ujdi ende nuk ka gjetur zbatim.
Mirëpo, në dhjetor të vitit 2023, Serbia kishte dërguar letër në Bruksel ku kishte nënvizuar vijat e kuqe të kësaj ujdie për Serbinë, ndër to edhe njohja ndërkombëtare e Kosovës.
Në shkurt të vitit 2025, është emëruar emisar i ri për dialogun, diplomati danez Peter Sorensen. Ai gjatë këtij viti ka mbajtur disa takime në kuadër të dialogut, mirëpo të njëjtat nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.
Të tjera
Aktuale
Vazhdon bllokada në Kuvend, analistët paralajmërojnë dëmtim të imazhit
Më shumë se një javë pas
Aktuale
Qalaj: Nuk ka serb në Kosovë që nuk i bindet Beogradit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës
Aktuale
Kurti në Vushtrri pritet me brohoritje për Hashim Thaçin
Kryeministri në detyrë dhe njëkohësisht kryetar