Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për suspendimin e dy eprorëve të Policisë së Kosovës, mes tyre edhe Kapitenit Agim Vitia, mbi dyshimet e rënda për spiunazh.
Por, hetimet e fundit kanë zbuluar se akuzat ndaj tij kanë qenë thjesht spekulime dhe hamendësime, të cilat jo vetëm që kanë cenuar rëndë imazhin e tij personal, por edhe kanë diskredituar vetë Policinë e Kosovës dhe institucionet e sigurisë.
Si nisi dyshimi?
Sipas burimeve të Sinjalit, gjithë dyshimi është ngritur mbi një screenshot të gjetur në telefonin e një të dyshuari nga Prokuroria Speciale dhe AKI. Në atë screenshot ishte një komunikim mes avokatit serb Dejan Vasiq dhe kapitenit Vitia. Në këtë bisedë, avokati e kishte pyetur kapitenin se a ishte arrestuar një klient i tij për krime lufte. Vitia, në cilësinë e përgjegjësit për njësinë që hetonte krimet e luftës, kishte kthyer një përgjigje zyrtare se ky person nuk ishte arrestuar për krime lufte.
Më pas, avokati Vasiq ia kishte dërguar screenshot-in një personi tjetër, për t’i dëshmuar se klienti i tij nuk ishte arrestuar për krime lufte, por për një çështje tjetër.
Ky veprim u mor si bazë për ngritjen e dyshimeve ndaj Kapitenit Vitia, duke e futur atë në llupën e AKI-së dhe Prokurorisë Speciale – për një akuzë aq të rëndë sa “spiunazhi”.
Hetimi që dështoi
Pas sekuestrimit të telefonit të kapitenit Vitia dhe ekzaminimit të detajuar forenzik, burimet e Sinjalit konfirmojnë se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Përkundrazi, është provuar se komunikimi i tij me avokatin ishte vetëm në nivel zyrtar, në përputhje me përgjegjësitë e tij si oficer policor.
Këto rezultate tashmë i janë bërë të ditura edhe Prokurorit Specia, Bekim Kodraliu, i cili pritet shumë shpejt të pushojë hetimin ndaj tij. Në momentin që kjo ndodh, Kapiteni Vitia pritet të kthehet në detyrë, duke hequr kështu njollën që i është vënë padrejtësisht.
Skandal me pasoja të rënda
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si Policia e Kosovës, AKI dhe Prokuroria Speciale trajtojnë informatat dhe ndërtojnë akuza për çështje të një rëndësie kaq të madhe. Suspendimi dhe hetimi i një eprori policor për një vepër të tillë të rëndë, pa pasur prova konkrete, përbën jo vetëm një gabim profesional dhe institucional, por një skandal që minon besimin e publikut në këto institucione.
Ky rast duhet të shërbejë si alarm se hetimet nuk mund të nisen mbi bazë spekulimesh dhe supozimesh, sepse çdo veprim i tillë shkatërron karriera, cenon reputacione dhe dëmton rëndë imazhin e Policisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë rast dhe të raportojë mbi çdo zhvillim, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe të mos manipulohen nga spekulime që prodhojnë tragjedi profesionale e institucionale.
Të tjera
Aktuale
Vazhdon bllokada në Kuvend, analistët paralajmërojnë dëmtim të imazhit
Më shumë se një javë pas
Aktuale
Qalaj: Nuk ka serb në Kosovë që nuk i bindet Beogradit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës
Aktuale
Kurti në Vushtrri pritet me brohoritje për Hashim Thaçin
Kryeministri në detyrë dhe njëkohësisht kryetar