Osmani: Nuk është hera e parë që Lista Serbe ka bojkotuar institucionet, shteti duhet të ecë përpara

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media pas dorëzimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuese, ka theksuar se posti i nënkryetarit të Kuvendit që i takon komunitetit serb, sipas Kushtetutës, mbetet i rezervuar për këtë komunitet dhe nuk mund të zëvendësohet nga askush tjetër.

Ajo tha se ky pozicion mund të plotësohet në një seancë të ardhshme, pa penguar konstituimin e Kuvendit.

“Në të kaluarën ka pasur raste kur disa nga nënkryetarët nuk janë zgjedhur në seancën konstituive, por është proceduar me konstituimin. Për ne, ai pozicion që i takon komunitetit serb sipas Kushtetutës, mbetet për komunitetin serb. Askush nuk mund ta zërë atë vend, ai mbetet i zbrazët dhe thjesht do të plotësohet në një seancë të radhës, pa bllokuar konstituimin e Kuvendit.

Ky parim mund të vihet në zbatim vetëm kur kemi institucione funksionale, sepse as të drejtat e pakicave nuk mund të mbrohen kur nuk kemi as Kuvend e as Qeveri. Nuk mund të përjashtohet mundësia që të ketë përpjekje për t’u mbështetur në të drejtat e garantuara me Kushtetutë për të nxjerrë mundësi që shkelin Kushtetutën, por këto skenarë duhet të parandalohen.

Republika e Kosovës nuk duhet të mbahet peng dhe askush nuk duhet të ketë të drejtën e vetos, sepse kjo do të rrezikonte themelet demokratike të shtetit. Nuk është hera e parë që Lista Serbe ka bojkotuar apo është larguar nga Kuvendi ose nga institucionet e sigurisë, por kjo asnjëherë nuk e ka bllokuar funksionimin e institucioneve. Shteti duhet të ecë përpara”, ka thënë Osmani.

Të tjera