Bashkimi Evropian ka vendosur të ndërpresë përkohësisht mbajtjen e takimeve me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe kabinetin e tij në objektin zyrtar të Qeverisë së Kosovës, deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë.
Ky qëndrim është bërë i ditur dje, përmes një letre që shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Aivo Orav, i ka dërguar Kurtit më 8 gusht 2025.
Në dokument thuhet se vendimi pason aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, më 25 qershor, që shpalli të pavlefshëm një udhëzim të Ministrisë së Financave lidhur me ushtrimin paralel të funksioneve ministrore dhe atyre parlamentare, duke u bazuar në nenin përkatës të Kushtetutës.
“Ky vendim konfirmon përkushtimin tonë për sundimin e ligjit, llogaridhënien dhe respektimin e institucioneve demokratike. Për të shmangur paqartësitë dhe interpretimet e gabuara, vizitat e përfaqësuesve të BE-së dhe shteteve anëtare brenda ndërtesës së Qeverisë do të shtyhen përkohësisht, derisa të krijohet një qeveri e re me mandat të plotë”, thuhet në letrën e Oravit.
Megjithatë, BE-ja thekson se angazhimi i saj ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar dhe se bashkëpunimi me institucionet kosovare në fusha të ndryshme do të vazhdojë edhe gjatë kësaj periudhe.
“Presim që qeveria e re të formohet pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë që të rikthehet dinamika e plotë e bashkëpunimit dhe të avancojmë marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes BE-së dhe Kosovës”, thekson më tej letra.
Në reagim ndaj këtij zhvillimi, Qeveria në detyrë ka thënë se Kryeministri Albin Kurti vazhdon të ushtrojë detyrën dhe se zyra e tij mbetet vendi i zakonshëm për takime.
“Pavarësisht situatës aktuale politike, z. Kurti është ende kryeministër në detyrë dhe zyra e tij në objektin e Qeverisë është vendi ku ai ushtron punën. Çdo takim kërkohet të zhvillohet aty, përveç rasteve kur palët bien dakord për ndonjë vend tjetër”, tha zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.
Ai shtoi se takime jashtë Kryeministrisë kanë ndodhur edhe më parë, edhe kur Kurti ka qenë në mandat të plotë.
Të tjera
Aktuale
Prishtina Parking rinis punën me rregulla të reja për pagesa e gjoba
Ndërmarrja “Prishtina Parking” nga sot ka
Lajme
Të enjten, që nga orët e para të ditës, pritet shi dhe rënie e temperaturave
Rrebeshe shiu pritet të përfshinë vendin
Aktuale
Presidentja paguan rreth 15 mijë euro në vit për shkollimin fillor të vajzave të saj
Shkollimin fillor të vajzave, Presidentja e