Dyshohet se spiunazhi arriti deri në Zyrën e Kryeministrit, çfarë dihet deri tash për aferën me të cilën po merret i gjithë rajoni

Mediumi kroat “Index.hr”, ka raportuar të mërkurën më 27 gusht, se autoritetet kroate kanë arrestuar një pilot të forcave ajrore kroate që kishte punuar edhe në KFOR dhe të dashurën e tij serbe nga Mitrovica, nën dyshimet për spiunazh për Serbinë, raporton Express.

Siç raportonte ky medium dje, bëhet fjalë për pilotin kroat J.I të forcave ajrore kroate dhe të dashurën e tij A.M e nacionalitetit serb nga qyteti i Mitrovicës.

Gazeta Express nga burimet e veta ka mësuar ekskluzivisht se e arrestuara A.M. është 46 vjeçarja Ana (Dragomir) Murganiq, me banim në Mitrovicën e Veriut, në rrugën “Ivo Lola Ribar”.

Por çfarë informacione dyshohet se çifti kroato-serb kanë shpërndarë?

Siç ka raportuar gazeta Slobodna Dalmacija, unaza e spiunazhit filloi të zbërthehej pasi çifti u arrestua një muaj më parë në Vis, ku ndodheshin me pushime. Edhe pse nuk dihen zyrtarisht arsyet e ndalimit të parë, piloti u lirua shpejt. Partnerja e tij mori vendim që ajo do të vendoset në Qendrën e pritjes transitore për të huajt në Trilj, ndërsa më pas do të dëbohej nga Kroacia me ndalim për 10 vjet.

Megjithatë, një kontroll në celularët e tyre zbuloi komunikime që tregonin transferimin e informacionit të klasifikuar tek politikanët serbë. Bëhet fjalë për të dhëna që J.I. i ka mbledhur gjatë shërbimit të tij në Kosovë si pjesëtar i kontingjentit kroat (HRVCON) si pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it nën udhëheqjen e NATO-s. Pas këtyre zbulimeve, të dy u arrestuan sërish.

Në raportimin e djeshëm të Index.hr, hetuesit dyshojnë se piloti kroat i kishte dhënë informacione konfidenciale të dashurës së tij, e të cilat informacione kishin kaluar pastaj përmes saj në duart e anëtarëve të Listës Serbe.

Në këto informacione, përfshiheshin dhe të dhëna për lëvizjet e trupave të KFOR-it dhe serbëve në veri të Kosovës përgjatë vitit 2022 e këndej.

Express dje ka raportuar se Ana Murganiq, e dashura e pilotit serb, më parë kishte punuar edhe në EULEX, gjë që është konfirmuar sot nga vetë misioni ndërkombëtar.

Sipas analistit kroat, Ivica Mandiq, çështja është edhe më serioze, meqë ai pretendon se lidhjet e Ana Murganiq shkojnë deri tek presidenca serbe dhe kryeministria e Kosovës.

Mandiq në një intervistë për mediumin e njohur kroat “Vercenji list”, ka thënë se e dashura e pilotit kroat kishte lidhje të drejtpërdrejta me Vuçiqin por edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

“Vajza kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me zyrën e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, por edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Pyetja është nëse në një operacion të tillë agjentja ishte e bindur, sepse ka informacione se ajo ka punuar edhe për një shërbim tjetër të një anëtari të madh të NATO-s,” ka thënë të mërkurën analisti ushtarak Ivica Mandiç.

Prokuroria kroate konfirmon hetimet për spiunazh për çiftin

Zyra e Prokurorit të Shtetit të Qarkut të Splitit kanë konfirmuar sot përmes një komunikatë për media se do të hetojnë pilotin ushtarak të ushtrisë kroate dhe të dashurën e tij, serben nga Mitrovica. Në një njoftim të lëshuar për media, hetimi është klasifikuar gjithashtu si konfidencial.

Për pilotin kroat dhe të dashurën e tij është kërkuar masa e caktimit të paraburgimit.

“Zyra e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Split, pas marrjes së kallëzimit penal të Sektorit të Pavarur për Çështjet e Policisë Ushtarake të datës 27 gusht 2025, kreu veprimet provuese të marrjes së parë në pyetje dhe lëshoi një vendim për të kryer hetime kundër të pandehurit të parë, shtetas i Republikës së Kroacisë (i lindur në vitin 1971) për veprën penale të spiunazhit sipas nenit 348, paragrafi 1 i Kodit Penal, dhe të pandehurit të dytë, shtetas i Republikës së Serbisë (i lindur në vitin 1979) për veprën penale të spiunazhit sipas nenit 348, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në komunikatë.

Të tjera