Bashkimi Evropian ka demantuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i cili ditë më parë deklaroi se takimi i mesit të qershorit me Serbinë në Bruksel nuk është i paraparë për vazhdimin e dialogut të moçëm, por për të diskutuar formatin e bisedimeve në të ardhmen, shkruan Gazeta Botapress.
Në një përgjigje për Gazeta nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se takimi i ardhshem do të vazhdojë me një takim të nivelit të lartë që do të mbahet së shpejti dhe gjithashtu kanë deklaruar se qeveritë e të dy palëve [Kosovës dhe Serbisë] kanë ndryshuar, por se angazhimet mbesin.
Gjithashtu, në këtë përgjigje të Bashkimit Evropian për Gazetën Metro thuhet se të gjitha çështjet e diskutuara deri tani dhe që do të diskutohen në të ardhmen brenda formatit aktual të dialogut të vazhdueshëm janë çelësi për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog ka filluar në vitin 2011 dhe vazhdon me një takim të ri të nivelit të lartë që do të zhvillohet së shpejti. Gjatë këtij procesi të vazhdueshëm, qeveritë e të dy palëve kanë ndryshuar, por angazhimet kanë mbetur. Të gjitha çështjet e diskutuara deri me tani dhe që do të diskutohen në të ardhmën brenda kornizave të këtij dialogu të vazhdueshëm janë thelbësore për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në përgjigjën e BE’së për Gazeta Metro.
Më tutje, në përgjigjën e Bashkimit Evropian për Gazeta Metro thuhet se presin nga palët e përfshira në dialog që të angazhohen dhe kjo sipas tyre do të thotë se gjithçka që është rënë dakord deri më tani, duhet të zbatohet.
Po ashtu, BE pret nga qeveria e re e Kosovës që të angazhohet në dialog në mënyre konstruktive dhe të shfrytëzojnë mundësinë për ta përfunduar në mënyrë të suksesshme dialogun Kosovë – Serbi.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare presin nga të dy palët një përkushtim të vazhdueshëm për t’u angazhuar në këtë dialog dhe të implementojnë marrëveshjet e kaluara. Kjo do të thotë që gjithçka që është rënë dakord, duhet të zbatohet. BE dhe shtetet e saj anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim vazhdimin e takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE’ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë për ta sjellë këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm.”, thuhet në përgjigjen e BE’së për Gazeta Botapress.
Të pyetur nga Metro lidhur me kohën, datën dhe agjendën e takimit midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel këtë muaj, Bashkimi Evropian thotë se do të shpallen në një moment të përshtatshëm.
“Data e saktë, koha dhe agjenda për takimin e ardhshëm të dialogut në Bruksel do të bëhen të ditura kur është e përshtatshme.”, thuhet në përgjigjen e BE’së.
Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar nuk është i paraparë për të vazhduar dialogun e moçëm apo më të moçmen. Por është diskutim për formatin dhe ecurinë e bisedimeve në të ardhmen. Pra, nuk është takim i dialogut të ardhshëm, por takim për dialogun e ardhshëm. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për deklaratat e të tjerëve, mirëpo qëndron ajo çfarë kemi thënë më herët. Do të ketë dialog të ardhshëm, por jo vazhdim të dialogut. Ka qeveri të re të Republikës së Kosovës, e cila ka program qeverisës. Ashtu siç e kemi premtuar, në secilën fazë të dialogut do ta ndajmë me Kuvendin e Kosovës”, ishin fjalët e Kurtit lidhur me takimin e këtij muaji në Bruksel.