Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, për caktimin e paraburgimit ndaj pesë policëve të përfshirë në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut.
Përmes një njoftimi, Apeli ka bërë të ditur se janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., dhe se rasti është kthyer në rigjykim.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve së të pandehurve […] si dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, duke e kthyer çështjen në rigjykim”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjykata Themelore më herët kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për pesë zyrtarët policorë, nën dyshimin se kishin kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, gjatë arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Megjithatë, Apeli ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë kishte mangësi serioze procedurale.
“Kolegji gjykues ka konstatuar se aktvendimi i ankimuar përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e tij.”, thuhet tutje në vendim
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit thekson se mungonte “analiza dhe vlerësimi i provave relevante, të besueshme dhe me fuqi provuese për të konstatuar dhe për të vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën pretendohet”.
Gjykatës së shkallës së parë i është propozuar që në rigjykim të eliminojë të gjitha shkeljet e konstatuara.
Pesë zyrtarët policorë u arrestuan si të dyshuar për shkaktimin e vdekjes së Zejnullahut gjatë ndërhyrjes policore.



Të tjera
Lajme
Banuesi nga Prishtina mbetet në det në Velipojë për shkak të defektit në motor, shpëtohet nga Policia Kufitare
Në Velipojë Policia Kufitare i ka
Lajme
Mbytet në det 50-vjeçari në Durrës
Një shtetas 50-vjeçar është mbytur pasditen
Lajme
Këto vende do të mbesin pa rrymë nesër e pasnesër
Njoftimet nga KEDS për punimet në