Paraqitja e parë e Përparim Ramës, kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës u prit me reagime të ndryshme, jo aq shumë për biografinë dhe pikëpamjen e tij për kryeqytetin, aq sa për deklaratën e tij se ai është “apartiak”.
Përkatësia e apartiake Përparim Ramës duket se nuk u pëlqeu aq shumë fanatikëve të LDK-së ndërkaq i befasoi kundërshtarët e LDK-së duke “fërkuar duart” se sfida me kandidatin e LDK-së do të jetë më e lehtë për faktin se Rama nuk ka ende librezë të LDK-së!
Por, në fakt nuk ka asgjë për t’u habitur në këtë aspekt. Përparim Rama nuk është anëtar i LDK-së ndërkaq anëtarësimi në LDK është çështje formale që merr kohë 2 minuta. Mbase edhe kjo ceremoni formale partiake do të bëhet dhe shtrohet pyetja a e bën më të fortë politikisht Përparimin anëtarësimi formal i tij në LDK?
Fakti se Përparim Rama nuk është anëtar i LDK-së do të duhej të mos e befasonte sidomos anëtarësinë dhe strukturat e LDK-së.
Por as anëtarësisë e as strukturave të LDK-së nuk duhet t’u pengojë fakti se Përparim Rama ende nuk ka marrë librezë të LDK-së!
Më e rëndësishme se sa libreza e LDK-së, për anëtarësinë dhe strukturat e LDK-së duhet të jetë potenciali dhe vlerat profesionale dhe personale të Përparim Ramës e jo veç libreza e LDK-së!
Fundja, Prishtinën e ka humbur edhe lideri i LDK-së me librezë dhe me postin e të parit të partisë, siç ishte Isa Mustafa!
Prishtinën nuk e fitoi as zyrtari i lartë i LDK-së, ish-ministri, ish-sekretari e ish deputeti i LDK-së Arban Abrashi!
Pra, Prishtinën e kanë humbur zyrtarët më të lartë të LDK-së, që nënkupton se libreza e LDK-së nuk e siguron dot fitoren apo rikthimin e Prishtinës nga LDK-ja.
Dhe krejt në fund ja edhe një fakt:
Para 4 vitesh edhe Lumir Abdixhiku ka qenë apartiak, por katër vjet më pas është kryetar i LDK-së.
Përparim Rama do të marrë librezën e LDK-së, por anëtarësia e LDK-së duhet të mobilizohet që të mbledh vota për Përparimin.
Dhe vota për Përparimin është votë për LDK-në, votë për Prishtinën!