Pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile në vend kanë protestuar në hyrje të Kuvendit të Kosovës të mërkurën, teksa deputetët e zgjedhur u mblodhën për herë të 37-të dhe prapëseprapë dështuan ta bëjnë Kuvendin e ri, katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.
Derisa deputetët po hynin në ndërtesë, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile u rreshtuan pranë hyrjen duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime si, “Deri kur?”, “Boll!”, “Unë jam deputet/e bllokues/e”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Loja juaj, pasojat tona” dhe “Deputetë veç në letër”, etj.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i kritikoi deputetët për mungesë përgjegjësie dhe e përshkroi bllokadën si “tragjikomike”.
“Kjo gjendje i ka tejkaluar kufijtë dhe është bërë boll, siç thonë edhe pankartat tona. Të vetmëve që nuk po u bëhet vonë, duket se janë deputetët, të cilët me një papërgjegjësi të plotë janë duke e trajtuar situatën e tanishme si diçka të zakonshme, ndonëse situata nuk është e tillë”, tha Cakolli para hyrjes së Kuvendit.
Ai tha se Kuvendi është shndërruar në “cirk të demokracisë, i cili po vazhdon me shfaqjen e njëjtë tragjikomike çdo 48 orë”.
“Deputetët mblidhen vetëm për disa minuta punë dhe i marrin pagat. Prandaj, ne, si organizata të shoqërisë civile, besojmë se është koha e fundit që deputetët t’i thërrasin arsyes dhe të arrijnë marrëveshje politike për t’i dhënë fund krizës politike”, tha ai.
Ligjbërësit u mblodhën të mërkurën, për herë të 37 radhazi që nga 15 prilli dhe u larguan shpejt si rëndom pa gjetur zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik.
Ata do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të premten e 27 qershorit.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo është hera e 28-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.



Të tjera
Lajme Showbiz
Më në fund zbulohet e dashura e Klodit për të cilën refuzoi Elijonen dhe Beniten
Është zbuluar më në fund vajza
Aktuale
Hiqen dilemat për kandidaturën nga familja Jashari, deklarohet edhe Bekim Jashari
Anëtarë të familjes së heroit të
Aktuale
BE shtrëngon kontrollet mbi përbërësit e ushqimeve për foshnjat
Pas një skandali që përfshiu ushqimet