Profesori japonez Hisashi Owada, i cili ishte në krye të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në kohën kur Serbia kërkoi të testojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, këto ditë po qëndron në Prishtinë. Universiteti i Prishtinës dje i akordoi titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” për kontributin e tij, ndërsa sot u prit në Kryeministri nga kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, i cili lavdëroi punën e tij.
“Në takim, kryeministri Kurti veçoi rolin kyç të profesorit Owada në Opinionin Këshillues të GjND-së të 22 korrikut 2010, në të cilin u konstatua se shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, tha sot ZKM pas takimit.
Megjithatë, në kohën kur vendimi i GJND-së që vulosi pavarësinë e Kosovës doli, partia e Albin Kurtit s’ishte fort e kënaqur e as nuk i kishte dhënë ndonjë lëvdatë kësaj gjykate.
Më 2010 në analizën që Vetëvendosje kishte publikuar për këtë vendim kishte pesimizëm edhe pse në Kosovë gjithandej kishte ekzaltim. Ata që e interpretuan “si bazë të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës” s’e kishin me të drejtë, sipas Vetëvendosje.
“Sa i përket pikës së parë [Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelë të drejtën ndërkombëtare], pothuajse të gjithë analistët, politikanët e zyrtarët, e kanë interpretuar atë si bazë të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Do të ishte mirë të ishte kështu, por kjo gjë fatkeqësisht nuk është e vërtetë”, thuhej në analizën e 2010-ës.
“Gjykata vetëm ka shpjeguar se nuk ka norma pozitive të së drejtës ndërkombëtare të cilat e sanksionojnë shpalljen e pavarësive apo ndalimin e tyre. Konstatimi se ”shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelë të drejtën ndërkombëtare”, nuk e implikon përfundimin se kjo shpallje është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, sepse e drejta ndërkombëtare në përgjithësi nuk i parasheh procedurat e ligjshme të krijimit të shteteve. Gjithsesi që një qëndrim i tillë është pozitiv në kuptimin e konceptimit të shtetit si fakt real. Por politikanët e Kosovës e konceptojnë shtetin vetëm si shpallje, prandaj kjo e rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”.
Për pikën e dytë që Vetëvendosje kishte nxjerrë atëherë – Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkelë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – partia e Kurtit këtë herë kritikat ia dha shteteve të mëdha në Këshill të Sigurimit.
‘Pika e dytë po ashtu ka qenë e pritshme, meqë vetë pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës sipas rekomandimit të Ahtisaarit është shpallur duke iu referuar Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Kjo ndodhi pasi që sponsorizuesit e rekomandimit të Ahtisaarit (ShBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia etj.) dështuan që gjatë verës së vitit 2007 ta nxirrnin një rezolutë tjetër për Kosovën, për shkak të përdorimit të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit. Kështu që, meqë nuk arritën ta ndryshojnë, atëherë e shpallën pavarësinë e mbikëqyrur përbrenda Rezolutës 1244, duke arsyetuar se vetë kjo shpallje nuk e shkelte R1244”.
Po ashtu, Vetëvendosje tha se ky opinion i GJND-së do ta rikonfigurojë deri në njëfarë mase qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.
“Tash Serbia nuk do të përqendrohet aq shumë në përpjekjet për rihapjen e statusit të Kosovës, megjithëse nuk do ta njoh atë, por në ndarjen e brendshme të Kosovës, ashtu sikurse në Bosnje”.
Sot profesori Owada, në takimin me Kurtin, tha se Opinioni i GJND-së ishte shprehje e ndërgjegjes dhe sensin e tij të drejtësisë, duke shtuar se ishte e natyrshme që Gjykata të vendoste për anën e drejtë.



Të tjera
Lajme Showbiz
Më në fund zbulohet e dashura e Klodit për të cilën refuzoi Elijonen dhe Beniten
Është zbuluar më në fund vajza
Aktuale
Hiqen dilemat për kandidaturën nga familja Jashari, deklarohet edhe Bekim Jashari
Anëtarë të familjes së heroit të
Aktuale
BE shtrëngon kontrollet mbi përbërësit e ushqimeve për foshnjat
Pas një skandali që përfshiu ushqimet