[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Zyba Hysen Hysa: “..Dhe zoti flet me vete” (Cikël poezishë)



(Më të klikuarat në dhjetor 2016)

 

JE GJYSMA E MUNGUAR…

N’pamundësinë e njohjes së mosnjohjes,
Grindemi me shkak e pa shkak,
N’çukitje zjarri me duele fjalësh,
Shkëndijojnë të panjohurat e ne njohim njëri – tjetrin…
Befasitë na shpien mes dallgësh,
Përplasemi n’muret e shpirtit me mendësi të marrësh,
Porsi urori dhe stërralli e latojmë atë me dalta malli,
Pa menduar dhimbje plagësh…
Bota është sizmike,
Gjithë universi qëndron në lëvizje,
N’verdallisje forcën e egzistencës ka matur,
Le t’i lëmë fjalët të shkëndijojnë
Të ndriçinë udhën tonë!
Mos prit të them “Të kam shumë xhan!”
Po gjeje kuptimin e këtyre fjalëve n’dëshirën
Për të zbuluar tek ti, ato që unë s’i kam,
Ato q’më mungojnë për të qënë e plotë,
Zoti na krijoi për t’u plotësur…
Ti je gjysma ime e munguar!

 

U MËSOVA ME TË GJITHA…

Shpesh të lutesha t’më japësh një shuplakë,
Më të rëndë se malli, q’mallin të shemb,
Të shpëtoj shpirtin e robëruar
Të dal prej agonisë së tejzgjatur,
Ku shqelmi i dashurisë m’ka flakur…
Tash të gjitha llojet e shuplakave i kam provuar!
Shuplakë pamundësie për të takuar,
Shuplakë lëndimi… kërcënimi…
Gjer dhe jeta më është vënë në shenjim,
Prej shuplakave të pakujdesisë sime,
Ndaj adhuruesve tuaja meskine…!
Ç’po ndodh me mallin vallë?
Një dorë misteri vazhdon ta mbushë hapësirën me zjarrin e tij,
Kur flakët dalin si shpirt prej shpirti, ndezin diellin …
E kthehen sërish si frymëmarrje i ndrijnë shpirtit qiellin…
U mësova me të gjitha:
Me shuplakat… më shumë se me hallin,
Si një ilaç që përdoret shpesh s’ka më efekt…
Për çdo sëmundje shumë shpikje e zbulime dalin,
Si s’u gjet ilaç për mallin???

SHPIRTËZIM…

Kam vite q’jam shndërruar si fëmijë jetim,
Pres Babagjyshin e ndricimit të shpirtit,
T’më sjellë si dhuratë një përqafim!
Është bukur të presësh me dëshirë fëminore,
Ashtu sic prisja babain të kthehej nga puna me lutje,
Kur jashtë frynte stuhija dhe shpirtit i sillte vuajtje…
(Ai mund të ishte mbrenda, mund të kishte dhe ngrohje
Unë e mendoja mes shiut dhe shpirti më ndjente ftohje…)

Sonte në këtë natë Krishlindjesh, i rëndi mall,
Dhe kotësinë e shndërron kështjella bindjesh,
Se vërtet Babagjyshi i Vitit të Ri egziston,
Se vërtet Jezusi lindi… vdiq… u ringjall…

O ëndrra ime fëminore,
Q’linde nga fryma hyjnore,
Me shpirt e pa shpirt kaluarit të vuajtjeve,
Përmes të sinqertave lutje
Të ndjej ringjalljen me krahë future,
E pse sërish e prêt kaluari i vuajtjeve mizore,
Ëmbëlsisht më merr për dore…!
Bekuar kush ëndrrat i dëshiron
Kur lutet paqësisht e bindet plotësisht,
Zoti i shpirtëzon!

NË EMËR TË…

Mendova, se ndjenja kishte gjetur strehën e saj,
Erdhi me hap future… ashtu shpenguar,
N’atë buzëmbrëmje Maji,
Ku dhe të vdekurit çajnë varret,
E vallëzojnë me shtojzavallet…
Mendova unë,
Por ndjenja s’ka tru e mendje,
Ajo ikën pas një drite, si flutura drejt llampe,
E pse mund të digjet… të mbetet pa krahë,
S’ka forcë e mendje ta ndalë…!
Unë besova,
Më fole për dashurinë… me dashuri,
Kurrë s’e mendova,
Se flisje n’emër të dashurisë,
Ashtu siç flasin klerikët n’emër të Zotit,
E n’anën tjetër,
Zotin e poshtërojnë me ndodhi monstruoze,
Gjer n’shfrytëzimin e fëmijëve,
Për qejfe e krime të përbotshme…!
Ashtu siç politikanët flasin n’emër të popullit,
Dhe popullit i vjedhin edhe të mbrendëshmet,
S’ka njerëz më të liq,
E lënë popullin lakuriq!
Dalin shesheve,
Ashtu si Pushkimi për të fituar bastin,
Gjysmën e bëjnë për t’qeshur… gjysmën për t’qarë,
I lënë më pas të qajnë hallin njëri – tjetrit,
Kur të gjithë janë në një varrë…
Ashtu si…
Mos vallë edhe Ti fole n’emër të dashurisë,
Si një klerikk i sprovuar me psallmet e tij,
Për të mashtruar burra, gra e fëmijë?
Apo si një nga tanët politikanë,
Me Bilushat orator,
Q’kapërcejnë më të suksesshmin actor??
Apo si më të bukurit,
Burra q’mashtrojnë vajzat e reja,
N’emër të dashurisë,
Për t’u shndërruar më pas TUTOR???
Vdekjen do ta besoja,
Po kur mbi ty q’ka rënë dhunshëm padrejtësia,
E të është mohuar dashuria,
Të kishe marrë fytyrën e pafytyrësisë,
Duke u veshur me velin e drejtësisë,
Me dhëmbë q’kafshojnë shpirtra,
Kurrë s’do ta besoja… kurrë s’e besoj,
Edhe n’vdeksha,
Prapë kështu do të mendoj… o MIK,
BESNIK!

 

CILI FITOI???

Jam me Sartre dhe kundër tij,*
Jam për “njeriun e lirë’
Ai s’kuptoi në vërtetësi,
Liri ke… kur je besë mirë!

Jo thjesh besim prej frike,
Por besim adhurimi!
T’arratisesh prej çdo të lige,
T’mbrosh adhuruesit nga lëndimi!

Kështu është dhe dashuria,
Kur shkon gjer në adhurim,
S’ndruhet njeriu nga vetja e tija,
Adhuruesit t’mos i sjellë shqetësim!

Mijëra herë të thashë,
Asjëherë s’më dëgjove!
Më në fund luftën e lashë,
Më thuaj: Unë, apo Ti fitove???

* Sartre thoshte: “Për të qënë i lirë, njeriu s’duhet të ketë frikë nga askushi” por ai s’besonte në Zot e aq më pak ta adhuronte Ate! Kjo lloj teze sjell barbarizem, nese s’mbeshtetet në adhurimin ndaj Zotit…
* Isuf Luzaj: “Në qoftë se Ti je i ndershëm se ke frikë nga opinioni publik… ose ke frikë nga ligji, policia… ke frikë nga Zoti, Ferri, nuk je i ndershëm aspakë, sepse të ndalon frika…”
* Unë jam plotësisht dakord me Isufin, s’kam frikë nga opinioni publik, as nga ligji, as nga burgu, as nga Zoti e nga Ferri, jam tërësisht e lirë… Kur unë adhuroj njerzit, adhuroj Zotin, adhuroj veten… largohem vullnetarisht nga ligësisë, jo nga frika e denimit apo Ferrit, por nga dëshira të mos lëndoj adhuruesit…
Edhe besnikëria në dashuri mbahet nga dëshira per të mos lënduar adhuruesit; të dashurin, veten, Zotin, se dashuria është produkt i bashkimit të dy shpirtrave nën frymën hyjnore…

 

S’E DI…

S’të desha prej fjalëve të bukura,
Prej dhimbjes q’më hodhe në prehër,
E më thirre në emër për të dhënë dorën
T’nxjerr nga errësia e honit të paemër…
Zëri jot më vinte i mekët,
Herë sikur largoheshe honit e koha s’priste,
Patjetër dikush duhet të jepte dorën të nxirrte…
Herë si lypsar i sprovuar ti jepje lekët,
E sapo t’i mirrje… si lypsar i rëndomtë të më tallje
E me gazin q’të jep fitimi pa punë e përpjekje,
Të suleshe ndonjë tjetre,
Po me fjalët e përhershme migjeniane:
“Me fal ndonjë send Zotni!” n’gojën e Makbethëve…
Të desha e prapë të dua,
Dhe pas kaq vitesh… mbrenda meje rritesh,
Ashtu siç unë të dua… ashtu siç unë të rrita,
Ndaj edhe të prita…!
Pa menduar… vërtet kishe nevojën time,
Pa vrarë mendjen n’ishe lupsar thërrimje,
Për të shuar unjën e të kaloje në lagje tjetër,
Të haje drekën…!
S’e di… Ti ishe fat për mua,
Apo fati im u qorrua!?
Çudi,
Unë prapë të dua!

 

PRAG ZGJEDHJESH…

O POPULL,
Kurrë s’dolën fitimtarë përballë,
Kur n’ballë kishe prijësa,
Kur lulëzuan princesha e princa,
Kur shpatën rrëmbente Skënderbeu
E sulej n’ballë i pari…
Jo si udhëheqësit tanë pisa,
Ku popullin e dërgojnë n’grykë zjarri,
Vetë bëjnë orgjira haremeve,
Ashtu siç ishte Lufta e Kosovës,
E shqiptarëve të Maqedonisë,
Ashtu siç ish 21 JANARI…

Prag zgjedheje,
Për të votuar ata që skutave vendosen,
Ti, si dikur… e pse e di,
Q’të hanë dhe trastën e bukës së fëmijëve,
Mezi pret t’i presësh shesheve,
Me këngë kanarine,
Q’e pse mbrenda kafazit,
Padronin e kënaq me cicërime…

Sa do vazhdojë ky tmerr?
Edhe sa kohë do luhen tragjikomeditë shqiptare
Me aktorë shqiptarë e tekst të huaj??
Si vallë s’doli një shkrues shqiptarë,
Të verë n’skenë të ardhmen???
Si vallë s’kemi asnjë mundësi të vemë një gurë,
E tjerët gur mbi gur,
Gjer të ndërtohet një murë,
Për t’i thënë “NDAL!” së keqes,
Po sa ditët shkojnë… i afrohemi vdekjes!?

Mbete popull me zjarr mishi,
Me epsh bishe… me dritë kandili,
Shekujt mrekullisht me Ty lozën,
Të coptuan… të vodhën!

 

DHE ZOTI FLET ME VETE…

N’pirgjet e librave murosur Historia,
Ashtu si një vashë q’dashurohej n’mesjetë,
Të pafetë e çkishëronin n’emër të fesë,
Për ta bërë shembull,
Q’kurvëria salloneve “fisnike”,
Të kishte çmimin më të shtrenjtë…
Ashtu kalemxhinjtë e punësuar,
Mbulojnë të vërteta e pastra,
Dhe gënjeshtrën e shpallin mbretëreshë!
Ashtu siç dhe vendet tona të shenjta,
Varrosur pushtuesit e shekujve,
Ne shkojmë përulemi e lutemi,
E njëri – tjetrin godasim me shigjetë!

OOOOH! Ç’dhimbje ndjej!
Ofshama pushton hapësirën si shkreptimë rrufeje,
Bën të dridhen planete,
Sytë të mbyllin me dhimbje yje e diej,
E vetë Zotin e bën të flaës me vete!

Toka jonë, qindra lumenj të nëndheshëm,
Ku rrjedh gjaku i shekujve derdhur n’emër të lirisë,
Por kurrë lirinë s’e gjetën,
Fshehur kolltukëve të rehatshëm të tradhëtisë!

Sot… lumenjtë duhet të thahen,
N’mos të thahen… t’u priten rrëketë!
Boll kemi lindur trima,
Q’trimërinë ua shfrytëzuan lakenjtë!
Boll kami rritur gladiatorë,
Arenave… e pse triumfonin, bastet i fitonin humbësit,
E përsëri mbeteshin inferiorë!

O nëna shqipe – krenare,
Q’krenarinë ua fyen shekujt… QËNDRONI!
NDRYSHONI FJALËT E NINULLAVE,
“Rritu bir i nënës Ti, të luftosh për liri…”
Në fjalët që shekulli i flet me zë të lartë:
“Rritu bir i nënës Ti, të fitosh DITURI!”

PËRJETËSI…

Qëllim tek Ti… kam pa qëllimin,
Rendjen drejt teje kam dëshirën,
Arësyen s’e gjeta tek arësyetimi,
N’kudhrën e zemrës kalis durimin!

Ti shtizë dritën hodhe e mbolle,
Lëshoi rrënjë në syrin e shpirtit,
Tash s’e kërkoj tek Ti q’e solle…
Rrezja kthyer diell, kaluar diellit!

Qëllim në Ty… kam paqëllimin,
S’mund t’fik dritën nisur tek Ti!
Jam mirënjohëse për ndriçimin,
Dashuri do të thotë, PËRJETËSI!

 

KAM ZBULUAR VETEN

Në qortimet e mia,
Kam zbuluar të fshehtat e vetes sime,
Jo, për të thënë Ty, ” Bëj ato q’unë dua!”
Por q’ti të më njohësh,
Dhe me anë të kësaj njohje,
Të shoh… ç’sakrifikon për mua!
Dashuria është sakrificë,
Nëse s’mohon veten, si Jezusi për njerëzinë,
Jo nga miqtë e ty tradhëtuar,
Por nga dëshira për ta lartësuar dashurinë,
Dije… mua më ke mashtruar e vetes i ke thurur gërshet,
TRADHËTINË!
Ende të qortoj në heshtje…
Se ende kam gjëra për të treguar,
Nga dëshira e pashtershme
Q’mistershëm shtohet e pse një dëshirë e mohuar!
Mbase kjo tregon:
JAM E DASHURUAR!

 

NJË ZË Q’NDJEHET…

Asnjëherë s’më ka shkuar n’mend të hidhem nga dritarja!
(Përherë të ngjitem me thonj për të çelur një dritare),
As dorën të më zgjasë njeri s’kam dashur,
I ndruhesha shpagimit të pa ndershëm…!
Aqsa herë ngrija me mund një kështjellë,
Gjyle topash ma shembën përmes tradhëtisë,
(S’mund të mbrohet vetëm kur kundra ke edhe të shtëpisë!)
Pas çdo shembje… kisha një motiv tjetër,
Kështjellën rinisja prapë vetëm!
Kush ngriti kështjella… vehten lartësoi,
Koha e ngritjes së saj,
Është motorri… është vlera e jetës,
Për të ndërtuar e për të mësuar sekretin;
Kështjellë më kështjellë,
Vetveten ke mbjellë!
Tash kam ndërtuar kështjellë tjetërsoj,
Jo me gurë e tulla… me dritë magjike,
E para kështjellë q’se ngrita vetëm!
Por e para kështjellë q’vetëm e mbroj,
Rrethuar muresh… ndjenja fisnike!
Kaq vite gjylet qëllojnë mbi të,
S’mund të fiket… kur ndjehet një zë,
Si ylber shprese mbi kryqin e kështjellës – dritë,
Me rojë hyjnitë!