[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Zv.Ministri i Jashtëm Anton Berisha reagon ndaj deklaratave të Patriarkut serb



 

Reagim ndaj deklaratës se patriarkut serb Irinej, se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën.

 

KISHA SERBE NUK E KA MONOPOLIN ETNIK TË KRISHTERIZMIT RRJEDHIMISHT AS TË DREJTËN HISTORIKE NË KOSOVË

 

Intervista e Krishtlindjeve patriarkut serb Irinej se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën, se Kosova është Serbia e Vjetër, nga e cila ka lindur pjesa tjetër e Serbisë si dhë nënvizimi i tij se “Kosova është historia serbe, kultura dhe shpiri i saj, se Prizreni ka qenë kryeqytet i popullit serb e Patrikana e Pejës rezidencë e argjipeshkëv dhe e patriarkëve serbë.” – janë konstatime për keqardhje dhe jashtë frymës së festës.

 

Referimi i konteksteve historike të kohëpaskohshme është përpjekje që periudhat kolonialiste të Serbisë në Kosovë për t’i paraqitur si e drejtë historike që i takon popullit serb duke përjashtuar shqiptarët si banorë të këtyre trojeve si dhe duke ua mohuar atyre kulturën duke përfshirë edhe atë krishtere.

 

Fetë, janë universale në natyrën e vet dhe cdo interpretim subjektiv e margjinal për të nxjerrë krishterizmin si monopol etnik serb ne këtë rajon është tendenciozitet malicioz në kundërshtim me nevojen sublime për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të Kosovës.

 

Kjo logjikë e KOS nuk është në përputhje me realitetin historik e as me gjendjen faktike aktuale, ngase Kosova është çliruar nga kolonizimi serb, është shtet i pavarur, në të cilin të gjithë shtetasit e saj i kanë të garantuara të drejtat e tyre qytetare, etnike, kulturore dhe fetare.