Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar aksionin e sotëm, ku raportohet se u arrestuan Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliut, ndonëse nuk ka përmendur arrestimet e emrat e të arrestuarve.
ZPS ka thënë se operacionet janë për hetime për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton Express.
Në njoftimine e lëshuar thuhet se aksionet janë autorizuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe janë mbështetur nga EULEX.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.
Arrestimin e Kilajt e ka konfirmuar për Gazetën Express, djali i tij, Blendi.
“Sot rreth orës 07:00 të mëngjesit është arrestuar babi. Nuk kemi informacione diqka se pse ka ndodhë arrestimi prapë”, ka thënë ai.
Për Smakajn, Express ka mësuar nga burime për arrestimin e tij.
Ndërkohë, arrestimin e Fadil Fazliut e ka përmendur ushtruesi i detyrës së Kryetarit të OVL e UÇK’së, Faton Klinaku.