Konventa e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës është organi më i lartë i partisë që gjithashtu zgjedh edhe kryetarin e partisë, shkruan Gazeta Botapress.
Pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme të cilat do të mbahen më datë 3 nëntor, ende asnjë kandidat nuk e ka shpallur publikisht kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e PDK’së.
Në anën tjetër, Konventa e Përgjithshme e PDK’së ka një përbërje e cila lejon që në zgjedhjet e brendshme të ketë një proces zgjedhor të mirëfilltë.
Numri i delegatëve për Konventën e Përgjithshme caktohet në varësi të numrit të anëtarësisë, ndërsa delegatët e Konventës së Përgjithshme përbëhen nga delegatët e zgjedhur dhe kuvendet e degëve dhe delegatët Ex-Officio.
Delegatët e zgjedhur votohen nga Kuvendet e Degëve. Lista e kandidatëve për t’u votuar dhe lista e fituesve si delegatë duhet të sigurojë një përfaqësim të paktën prej 30% për të dy gjinitë.
Delegatët Ex-Officio janë: Kryetari i Partisë, anëtarët e kryesisë, anëtarët e Këshillit Drejtues, Ministrat, Deputetët, Ekipi për Organizimin e Zgjedhjeve në nivel Qendror, Kryetarët e Degëve të zgjedhur në këtë proces zgjedhor, Kryetarët e komunave, Kryesia e GDK-së dhe Kryesia e RDK-së.
Mandati i delegatit të konventës së përgjithshme është katër vjet. Mandati i delegatit ndërpritet para kohe kur jep dorëheqjen, çregjistrohet ose largohet nga partia dhe me rastin e vdekjes.
Numri i delegatëve që dërgohet nga secila degë përbën totalin e përfaqësuesve në bazë të votave të fituara në zgjedhjet lokale dhe përfaqësuesit në bazë të votueseve potencial të asaj dege.