[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi mbajti ligjëratë para studentëve të Kolegjit Universum në Prishtinë



Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, mbajti një ligjëratë para studentëve të Kolegjit Universum në Prishtinë.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Kelmendi ka inkurajuar studentët e kolegjit që të arrijnë synimet e tyre, të jenë kreativ, por gjithashtu sa më pragmatik përballë kërkesave dhe nevojave të shoqërisë si tërësi.

Zëvendëskryeministri Kelmendi tha se Qeveria e Kosovës është mjaft e përkushtuar për hapjen e vendeve të  reja të punës, e po ashtu po krijon klimë të volitshme që të rinjtë të kenë lehtësira në të bërit biznes në vitet vijuese.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investitorët e jashtëm, por edhe të brendshëm, në veçanti për të rinjtë që sapo kanë përfunduar studimin, duke i mbështetur me legjislacion të nevojshëm dhe krijimin e fondit për garantimin e kredive në të gjitha bankat e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi, duke ftuar studentët që të marrin pjesë në fondin për garantimin e kredive, sidomos ata studentë që kanë afinitet të afaristit.

Duke folur para studentëve për procesin e finalizimit të pakos së dytë fiskale, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se me pakon e dytë fiskale të gjithë prodhuesit në  Kosovë do të  jenë të barabartë, dhe siç tha ai, me pakon e re parashihet rritje deri në 30 për qind të sektorit prodhues.

Para studentëve të Kolegjit Universum, zëvendëskryeministri Kelmendi bëri një prezantim të shkurtër të fillimeve të karrierës së tij, por edhe për sfidat nëpër të cilat ka kaluar për t’u ngjitur shkallëve të suksesit.