[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi autoritet lokale, disa fabrika dhe përfaqësues të bizneseve në Ferizaj  



Prishtinë, 26 janar 2017

 

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka vizituar sot gjatë ditës komunën e Ferizajt, ku fillimisht është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Muharrem Sfarqa.

Në takim është biseduar për çështjet ekonomike të kësaj komune, trajtimin në të ardhmen të hekurudhës që kalon në qendër të qytetit, si dhe kyçjen e zonave industriale në autostradë.

Zëvendëskryeministri Kelmendi në veçanti foli për pakon e dytë fiskale që është duke u përgatitur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilën synohet zhvillimi i veprimtarisë prodhuese në vend.

“Pakoja fiskale dy, i përfshin 99 për qind të veprimtarive prodhuese edhe të kësaj komune, dhe kjo ka me qenë shumë ndikuese dhe presim që kjo pako të kthej lakoren e rritjes ekonomive të këtyre veprimtarive jashtëzakonisht shumë dhe jashtëzakonisht shpejt. Prandaj në përgjithësi është në interes edhe të bizneseve të komunës së Ferizajt” ka theksuar zëvendëskryeministri Kelmendi në një konferencë për media pas takimit.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, duke falënderuar zëvendëskryeministrin Kelmendi për vizitën, e njoftoi për afarizmin e suksesshëm që po bënë kjo komunë, si dhe me nevojat që ka biznesi në përgjithësi.

“E njoftova për të gjitha të arriturat që janë zhvilluar këtu, duke e pasur parasysh që Komuna e Ferizajt tashmë është një komunë e zhvilluar e Republikës së Kosovës përmes bizneseve, të cilat janë në numër shumë të madh këtu dhe të cilat absorbojnë një numër të madh të punëtorëve në këtë shkallë të lartë të papunësisë”, theksoi kryetari Sfarqa, duke shtuar se  Komuna e Ferizajt merr pjesë në buxhetin e Republikës së Kosovës me 360 milionë euro në vit, përmes taksave dhe doganave, që është një fuqi ekonomike dhe e cila, në një mënyrë ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.

Kryetari Sfarqa, shtroi edhe problemin lidhur me projektin e ndërtimit të hekurudhës nëntokësore, përmes të cilit do të përfitohet një sipërfaqe afër 6 hektarë në këtë segment të qytetit.

Gjithashtu, kryetari Sfarqa përmendi një sërë problemesh, si ujërat e zeza, mbeturinat, të cilat, siç tha ai, po bëhet përpjekje të zgjidhen përmes kredive të buta.

Gjatë qëndrimit në Ferizaj, zëvendëskryeministri Kelmendi ka vizituar disa biznese të këtij qyteti. Në Fabrikën e ujit “Miros”, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se mori kërkesë rreth çështjes së taksës së ujit nga e kaluara, për të cilën u zotua që do të shoh mundësit e eliminimit të saj.

Në vizitën e bërë në fabrikën e ëmbëlsirave “Rolleo”,  zëvendëskryeministri Kelmendi u shpreh i fascinuar me mënyrën e organizimit. “Është një biznes i vogël, por që praktikisht punëson gjininë femërore, që është shumë me rëndësi për ne dhe gjithsesi, do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Zëvendëskryeministri ka vizituar edhe fabrikën e këpucëve “Hit Shoes” si dhe kompaninë “Eli-AB”, ndërsa gjatë pasdites, ka takuar përfaqësues tjerë të bizneseve të kësaj komune.

Duke iu premtuar mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës, zëvendëskryeministri Kelmendi ka kërkuar nga bizneset që të mos ndalen me investime, në mënyrë që Kosova të ketë rritje ekonomike, rritje të punësimit, dhe zvogëlim të informalitetit.

“Angazhim imi themelor është që shqetësimet dhe kërkesat e arsyeshme të bizneseve, të kuptohen shumë më lehtë sesa që kanë qenë në të kaluarën. Do të angazhohem që përmes këtyre vizitave në biznese të ndryshme të vendit, t’i shtyjmë proceset përpara” tha zëvendëskryeministri Kelmendi.2612017  ZvKM72612017  ZvKM8