[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Zëdhënësi i Qeverisë: Heqja e vizave ndërlidhet me punën e Komisionit të ri për Demarkacionin



Heqja e vizave për Kosovën po vazhdon të mbetet ndër brengat kryesore të qytetarëve të Republikës. Derisa Qeveria “Mustafa” ka ripërsëritur qëndrimin e saj se demarkacioni me Malin e Zi është “drita jeshile” e cila Kosovës do t’ia heqë përfundimisht vizat.

“Procedimi i çështjes së demarkacionit tutje është i ndërlidhur me punën e Komisionit  për matjen e territorit. Parimisht, rezultatet përfundimtare pas matjes që do t’i bëjnë ekspertët e Komisionit, do ta determinojnë edhe kohën e procedimit tutje. Se sa do të zgjas kjo periudhë kohore, ekspertët e Komisionit mund ta thënë më konkretisht”, ka thënë për Indeksonline zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu.

Sipas tyre, nuk do të ketë shumë vonesa të pajustifikueshme për demarkacionin, pasi lidhet ngushtë me liberalizim të vizave. “Ne besojmë që nuk do të ketë vonesa të pajustifikueshme sepse çështja në fjalë është e ndërlidhur me liberalizimin e vizave dhe me procese tjera shumë të rëndësishme në kuadër të rrugëtimit tonë drejtë integrimeve evropiane”, është shprehur zëdhënësi i qeverisë, Faton Abdullahu.

I pyetur lidhur me deklaratën e përfaqësueses së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, se gjatë kësaj jave do të bëhet edhe zgjedhja e Ministrit të ri të Integrimeve, Abdullahu ka bërë të ditur se në kohën që ky propozim vendoset nga Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Mustafa konform kompetencave do të vendosë lidhur me këtë.

“Sa i përket Ministrisë së Integrimeve në kohën që ky propozim do të vije nga pala përkatëse në koalicionin qeverisës Kryeministri Mustafa konform kompetencave dhe në mbështetje të ligjit do të vendos menjëherë për këtë”, ka përfunduar Abdullahu.

Kurse duhet përkujtuar që demarkacioni është pikërisht një ndër temat më të ndishme, pasi opozita vazhdon të jetë këmbëngulëse në kundërshtimin e kësaj çështje. Por përpos demarkacionit, është korrupsionit një ndër pikat të cilat Kosova duhet të bëjë punë të madhe në mënyrë që të ketë mundësi të liberalizimit të vizave.