Aktivitetet e Vetëvendosjes me rastin e 8-vjetorit të vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, kanë nxitur reagime nga politikanë opozitarë e analistët. Ata kanë kërkuar nga VV-ja që të zbardhet rasti i Deharit ashtu siç kishin premtuar para ardhjes në pushtet, teksa kanë kritkuar këtë parti që po e përdorë politikisht këtë çështje për vota.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, në përvjetorin e 8 të vdekjesë së Astrit Deharit, ka thënë se Vetëvendojse duhet të punojë për zbardhjen e rastit të tij.
Komenti i tij erdhi pasi Vetëvendosje ka paraprarë disa aktivitetet më këtë përvjetor, ndër to edhe turne shahu dhe ping-pongu.
“Pas katër vitesh në pushtet, jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për të ndriçuar këtë rast, por përkundrazi, kanë zhdukur mostrat e ti dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
“E kam thënë në fillim të mandatit të kësaj Qeverie dhe disa herë të tjera: ata nuk duan të zbardhin rastin Dehari, sepse vetëm të pazbardhur mund të vazhdojnë ta përdorin politikisht.” – ka shkruar ai.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Vetëvendosjen për agjenden e tyre për rastin e 8-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit.
Haxhiu ka thënë se po luhet shah e ping-pong me Deharin, duke shtuar se Vetëvendosje ka harruar kauzën e tyre për zbardhjen e rastit të Deharit.
“Duke qenë në pushtet më shumë se 4 vjet, në këtë përvjetor do të duhej të dilnin me zbulimin e të vërtetës së vdekjes së tij, jo të organizojnë lojra shahu e pingponu.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
“Sot para familjes dhe qytetarëve do të duhej këtyre pyetjeve t’u jepnin përgjigje. Besa, edhe shumë pyetje tjera, si ndodhi që të dy djemtë e Avni Deharit të bëjnë vetëvrasje brenda një kohe të shkurtë e që për Arbnorin nuk flitet, as për vetëvrasjen e tij, si ndodhi? Kush e shtyu deri në vetëvrasje?” – ka pyetur ai.
Edhe sekretari i PSD-së, Nol Nushi ka reaguar për të njëjtën gjë, duke thënë se pushteti e përdorë rastin e Deharit për të përfituar ndonjë votë.
“Sikur ne shah, pushteti e perdore taktikisht kete rast per me mjele ndonje vote emocionale. Angazhon krejt ‘piunet’ per me ia ruajt poziten ‘mbretit’. Por sa me shume kohe qe kalon, arsyea i mbivendoset emocionit e keqperdorimi do te duket sheshit.” – ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohe edhe analisti i politikës, Ilir Mirena, ka reaguar për agjedën e Vetëvendosjes më rastin e 8-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit.
Mirena ka thënë se janë 8 vite që rasti Dehari po keqpërdoret dhe shfrytëzohet.
“Agjenda e VV’se per tete vjetorin e keqperdorimit dhe shfytezimit te nje vetvrasjeje…” – ka shkruar ai.
Çka parasheh agjenda e VV-së?
Sipas asaj që ka publikuar Vetëvendosje, agjenda parasheh disa aktivitete me rastin e 8-vjetorit të vdekjes të Astrit Deharit.
Aktivitetet do të mbahen më 3, 4 dhe 5 nëntor.
Kjo është agjenda:
Agjenda e publikuar nga Vetëvendosje:
Agjenda për tetë vjetorin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari
3 nëntor 2024, e diel
– 11:00 – Turneu Memorial i Shahut “Astrit Dehari”, vendi: Shtime, Shkolla e Mesme Profesionale.
4 nëntor 2024, e hënë
– 12:00 – Turneu Memorial i Ping Pongut “Astrit Dehari”, vendi: Besianë, Palestra sportive “Hakif Zejnullahu”.
5 nëntor 2024, e martë
– 09:30 – Homazhe te varri i Astrit Deharit, vendi: Zllatar;
– 11:00 – Dhurimi vullnetar i gjakut, vendi: Zyra e Sekretariatit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! (Rr. Behije Dashi, Prishtinë);
– 17:30 – Aktivitetet:
• Ndezja e qirinjve te Murali për Astrit Deharin, vendi Kino ABC, (Rr. Rexhep Luci, Prishtinë);
• Përmes performancës nga një balerinë përkujtojmë sakrificën dhe shembullin e aktivizmit të Astrit Deharit.