Pas takimit të së martës në Bruksel në kuadër të dialogut, Serbia vuri si kusht zgjerimin e territorit të komunës së Mitrovicës Veriore për hapjen e urës së Ibrit. Kryenegociatori Petar Petkoviç tha se duhet të diskutohet kjo çështje siç parashihet në marrëveshje. Në fakt në dy nga tre dokumentet ku flitet për urën e Ibrit përmendet edhe përcaktimi i kufijve kadastralë mes Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.
Zgjerimi i territorit të Komunës së Mitrovicës së Veriut nuk pranohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“E pranueshme nuk është hiç. Mirë që po i shpërfaqin, tani edhe ju e kuptoni që ata krejt luftën e kanë për territor dhe ç’ është e vërteta këtë betejën e tyre të mjerë 25 vite pas luftës ka qenë për të krijuar një hapësirë fizike dhe territoriale të cilët pastaj ata kanë dashur ta shndërrojnë në një hapësirë politike”, u shpreh për A2 Armend Muja i Lëvizjes Vetëvendosje.
Komuna e Mitrovicës së Veriut, që erdhi pas procesit të decentralizimit së bashku me 9 komuna të tjera të vogla serbe, bazuar edhe në planin e Ahtisarit, në kohën kur drejtohej nga Lista Serbe pretendonte së fshati Suhodoll, që shtrihet në pjesën veriore të Ibrit, i takonte asaj.
Edhe në bazë të Planit Ahtisari, por edhe me Ligjin për kufijtë administrativë të komunave që është bazuar në të njëjtin plan, thuhet se Suhodolli i takon Jugut.
“Suhodolli është pjesë e Mitrovicës dhe do të jetë pjesë e Mitrovicës asesi nuk duhet të jetë pjesë e tekeve të Serbisë, besoj që ne si subjekte të shtetit tonë dueht të ikim nga diskursi i Serbisë dhe të fokusohemi ku është problemi real”, tha Muja
Lista Serbe, që sa drejtonte më Mitrovicën e Veriut, pasi pa se nuk ka pajtim që Suhodolli t’i kalonte veriut, tha se çështja duhet të kthehet në Bruksel, që tashmë Serbia është duke tentuar ta bëjë në kohën kur hapja e urës së Ibrit është riaktualizuar.
“Kufijtë e shtetit tonë janë aty ku janë, edhe ata të brednshëm janë të përcaktuar në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në bazë të Planit të Ahtisarit dhe do të mbesin si të tillë, decentralizim që është kërkuar është koncesioni i fundit që e ka bërë shteti i Kosovës dhe kjo është thënë që do të bëhet në emër të faktit që shteti i Kosovës duhet të njihet ndërkombëtarisht dhe ka qenë edhe lëshim i madh edhe atëherë”, deklaroi Muja
Lëvizja Vetëvendosje akuzon se Serbinë se përmes bandave ka bërë spastrim etnik në veri duke larguar mbi 12 mijë shqiptarë nga ajo pjesë.