[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Vuçiqi: Deklarata e Thaçit, më e kota që kam dëgjuar!



Botapress, 19 Janar

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka ndërmend të ndalet së komentuari trenin që ishte ndaluar të futej në Mitrovicë nga policia e Kosovës.

I pyetur nga gazetarët se si i komenton akuzat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se Beogradi dëshiron ta aneksojë një pjesë të Kosovës, ashtu siç ka bërë Rusia me Krimenë, ai ka deklaruar se ky është “komenti më pa lidhje që ka dëgjuar ndonjëherë”, transmeton Telegrafi.

“Sipas Kushtetutës tonë, Kosova është pjesë e Serbisë. Me aneksimin e një pjese të Kosovës, kjo do të nënkuptonte se ne do të ndanim territorin tonë. Ne nuk jemi ndonjë Rusi e Vogël dhe as që kemi në plan të ndërmarrim ndonjë veprim ushtarak. Këto plane i kishte në mendje Prishtina”, ka thënë ai.

I pyetur se sa reale dhe serioze ishte deklarata e presidentit serb Tomisllav Nikolliq, se në rast të ndonjë konflikti kundër serbëve në Kosovë, Beogradi zyrtar do të dërgonte Ushtrinë, Vuçiq ka thënë se Serbia do të bëjë gjithçka që një gjë të tillë ta shmang dhe të punojë për paqe.

“Porosia ime është që me armë nuk zgjidhet asgjë dhe se duhet t’i kthehemi dialogut”, ka shtuar Vuçiq.