Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ka bërë të qartë se nuk do të pranojnë një Asociacion në Kosovë që e krijon një Republika Srpska, duke nxitur palën kosovare që të mos ketë frikë të diskutojë për këtë temë në dialog.
“Skenari më i keq dhe i gabuar ndonjëherë mund të jetë krijimi i një Republika Srpska të re, gjë që nuk është në interesin e askujt. Ne nuk do ta pranojmë një rezultat të tillë”, tha Sarrazin në një intervistë për Euronews Albania.
“Duhet të jemi të kujdesshëm”, amerikanët alarmojnë për Putinin, Bosnja dhe Kosova përmenden si caqe
Kësaj deklarate që s’i pëlqeu i është përgjigjur presidenti serb nga Sofja e Bullgarisë. Aleksandar Vuçiq tha se është interesant fakti që Sarazin thotë se nuk do të lejojnë Republikën Srpska të re në Kosovë, duke shtuar me ironi: “Kam menduar se e kanë vendosur serbët dhe shqiptarët, jo gjermanët”.
“Por është mirë që Manuel Sarrazin e tha publikisht, pasi gjermanët kishin vendosur tashmë për disa plane”, tha Vuçiq pa specifikuar më tej se për çfarë planesh ishin.
Duke thënë se e vlerëson shumë Sarrazinin, Vuçiq i dha edhe një mesazh tjetër për Kosovën.
“Nuk do të ketë as Kosovë të pavarur siç e planifikoni. Tani mirë – e kuptova mesazhin tuaj dhe shpresoj që edhe ju ta kuptoni mesazhin tim”, tha Vuçiq.