[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Vonesa në krijimin e institucioneve do të shkaktonte krizë politike



Analistët po e shohin majin mars si skenarin më optimist, ndonëse vështirë i realizueshëm, për formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, por që  varen edhe nga certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Telegrafin se formimi i institucioneve të Kosovës varet nga koha se kur KQZ do t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.

Kjo pasi siç tha ai, në zgjedhjet e kaluara KQZ-ja është vonuar në certifikim të rezultateve, plot 53 ditë.

“Mos të harrojmë se KQZ-ja vonohet në certifikim të rezultateve pasi në zgjedhjet e kaluara ka zgjatur plot 53 ditë, derisa është bërë certifikimi i rezultateve. E kjo mund tëshkaktoj probleme në zvarritjen e krijimit të qeverisë. Tash për tash situata duket që është më e qartë, në kuptimin se pak a shumë po dihet që Vetëvendosja e ka ndërmend që qeverinë ta bëjë vet me ndonjë votë të komuniteteve jo shumicë. Do duhej që KQZ-ja ta shpejtonte numërimin e votave nga diaspora në mënyrë që mos të mbetet peng krijimi i institucioneve nga puna e ngadaltë e saj. Duke pasur parasysh edhe afatet për zgjedhjen e presidentit, pasi siç e dimë deri më 7 prill duhet të përfundojnë përgatitjet për zgjedhjen e presidentit dhe deri më 7 maj duhet ta kemi presidentin e ri, atëherë krijimi i këtyre institucioneve është i domosdoshëm, nëse nuk dëshirojmë që të shkaktojmë krizë të re politike”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë funksionale – në kuptimin e vendimmarrjes, pasi shton se do të ishte pozitive nëse Lista Serbe nuk do të kishte ndikim të madh vendimmarrës siç ka pasur në të kaluarën.

“Për mua si qytetarë është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë funksionale në kuptimin e vendimmarrjes që mund të kryhen. Ndër vite Lista Serbe ka qenë vendimmarrëse në Qeveri, e do të ishte shumë pozitive që ky ndikim të ulej më shumë natyrisht me përfshirjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Qeveri pasi është obligim kushtetues”, tha ai.

Mushkolaj thekson se ende nuk dihet se kush do të jetë në kabinetin e Qeverisë Kurti.