Presidentja e parë grua e Komisionit Evropian, është zotuar se do t’i mbrojë të drejtat e grave, pasi pranoi se është ndier e lënduar nga incidenti me karrige gjatë vizitës në Turqi.
Ursula von der Leyen u la pa karrige gjatë një takimi me presidentin turk, Rexhep Erdogan, në Ankara më 6 prill.
Turqia u kritikua për këtë veprim, por pa u kritikuar nuk shpëtoi as presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili e zuri ulësen afër Erdoganit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Botapress.
Turqia e fajësoi Bashkimin Evropian për gafën që e detyroi zyrtaren e lartë që të ulej në një kolltuk anash. Megjithatë, gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian të hënën, Von der Leyen sugjeroi se seksizmi është rrënja e asaj që i ndodhi në Turqi.
Ajo tha se nuk ka parë ndonjë arsye pse është dashur të trajtohet ndryshe nga Michel, i cili ka kërkuar falje për rolin e tij në incident.
“Unë jam gruaja e parë që jam presidente e Komisionit Evropian. Unë jam presidente e Komisionit Evropian dhe kështu prita që të trajtohem, kur e vizitova Turqinë dy javë më parë, si një presidente e Komisionit, por nuk u trajtova”, tha Von der Leyen para ligjvënësve evropianë.
“Në traktatet evropiane nuk munda të gjej ndonjë justifikim për mënyrën sesi u trajtova. Prandaj, më duhet të arrij në përfundimin se më ndodhi për shkak se jam grua. A do të ndodhte, nëse do të kisha veshur kostum e krevatë? Në fotografitë e takimeve të kaluara, unë nuk pashë ndonjë mungesë karrigeje. Por përsëri, nuk pashë as ndonjë grua në fotografi, gjithashtu”, shtoi ajo./Botapress/