Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se veprimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të votuar në zgjedhjet në Shqipëri nuk do ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse nuk është zbrapsur nga ideja se kjo votë kishte motiv politik.
Në një deklaratë për mediumin serb ‘Danas’, raportuesja për Kosovën deklaroi se ajo vetëm mund të konfirmonte atë që tashmë kishte thënë – se nuk ishte dakord me një veprim të tillë. E njëjta nuk e sheh mundësinë e reagimit zyrtar për këtë çështje, por thekson se do të donte të fliste me Kurtin për motivet e tij për dërgimin e një mesazhi të tillë.
“Vendimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të votuar në zgjedhjet në Shqipëri ka një konotacion të fortë politik sepse ai nuk është një qytetar i zakonshëm me dy shtetësi. Sipas mendimit tim, nëse Kryeministri i një vendi voton në një vend fqinj, nuk kontribuon në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar ajo
“Nëse kam mundësi, do të doja të diskutoja me Kurtin e ta pyesja se cilat ishin motivet e tij për këtë veprim. Unë nuk mendoj se vota e Kurtit do të reflektojë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por është e qartë se ne nuk mund të zbatojmë standarde të dyfishta për çështjen e shtetësisë së dyfishtë për serbët e Kosovës dhe shqiptarët nga Kosova”, ka shtuar tutje Von Cramon.
Kreu i ekzekutivit, në anën tjetër, pritet të flasë me zyrtarët e BE’së në Bruksel për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.