Vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Thaçit, i është ndërprerë njëanshëm sot vizita në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Ai e kishte të konfirmuar vizitën dyditore më 23 dhe 24 nëntor, por sipas burimeve të afërta me familjen Thaçi, vëllai i vogël i tij vetëm dje e ka vizituar ish-presidentin Thaçi së bashku me miqtë e tij, ndërsa vizita e sotme i është anuluar njëanshëm nga administrata e Objektit të Paraburgimit të Dhomave të Specializuara që ndodhet në Burgun Holandez PI Haaglanden.
I kontaktuar nga Gazeta Metro, vëllai i ish-presidentit Thaçi ka konfirmuar që i është anuluar njëanshëm sot vizita, duke sqaruar se arsyetimi i administratës ndërlidhej me masat e reja për parandalimin e përhapjes së versionit të ri të virusit.
Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen mbi një vjet në paraburgim në Hagë, rreth tetë muaj për shkak të përhapjes së pandemisë nuk janë lejuar t’i vizitojnë fizikisht ata në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Përkundër që tashmë janë bërë më shumë se një vjet që po mbahen në paraburgim, atyre ende nuk u është dorëzuar as aktakuza e plotë dhe në kundërshtim me procedurën penale bazuar në ligjet e Kosovës, hetimet vazhdojnë të mbesin ende të hapura. /Botapress.info/