Edhe për Bashkimin Evropian, edhe për NATO-n 2024 ishte vit i tranzicionit. Në të dy këto organizata duhej të vendosej se kush do t’i drejtonte në vitet e ardhshme. Përderisa për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s nevojitej pajtimi i të gjitha vendeve anëtare, për postet kryesore në institucionet e BE-së duhej respektuar rezultatet e zgjedhjeve evropiane dhe disa kritere të tjera, siç janë balancimi mes vendeve anëtare dhe mes grupeve politike. Vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për të zgjedhur ish-kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si sekretar të përgjithshëm të Aleancës. Kështu ai në fund të tetorit zëvendësoi në këtë post norvegjezin Jens Stoltenberg. Vazhdimi i misionit të KFOR-it në Kosovë u përsërit si prioritet edhe për shefin e ri të NATO-s.
Hyrja në fuqi e liberalizimit ishte lajmi i vitit 2024 për Kosovën. Por, ky mbeti lajmi i vetëm i mirë. Kosova ngeci në raportet me BE-në në pikat e tjera kryesore. Nuk u shqyrtua fare aplikimi për anëtarësim as pas dy vjetësh dhe u mbajtën në fuqi sanksionet ndaj Kosovës. BE-ja kaloi përmes një viti tradicional, cikël që ndodh çdo pesë vjet kur zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe zgjidhet edhe Komisioni i ri Evropian. Tash BE dhe NATO kanë të gatshme strukturat për një fillim të ri, por mbeten me sy hapur duke shikuar përtej Atlantikut ku në shtëpinë e bardhë prapë vjen Donald Trumpi.
Dita e parë e vitit të ri nisi me mundësinë e kosovarëve për të udhëtuar pa viza në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, me përjashtim të Irlandës, që nuk është në zonën e Schengenit, por edhe në Zvicër, Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji të cilat, ndonëse nuk janë në BE, janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë. Për kosovarët ishte një mundësi e pritur me vite që erdhi pas shumë frustrimesh për shkak të vonesave të njëpasnjëshme. Aq u vonua liberalizimi i vizave saqë qytetarët e Kosovës humben në një moment edhe besimin. Dhe që nga dita e parë nisën të bëhen analiza, shpesh të pabaza dhe joprofesionale, se sa kosovarë do ta lëshojnë Kosovën si pasojë e heqjes së vizave. Sikur të ishin realizuar ato diku nga fundi i muajit tetor, Kosova do të duhej të kishte mbetur pa asnjë banor. Për të analizuar mirë efektet e liberalizimit të vizave duhet pritur të dhënat e plota për vitin 2024. por ato të dhëna që i ka BE-ja për nëntë muajt e parë nuk duken edhe aq shqetësuese nëse krahasohen me vendet e tjera të rajonit. Disa vende anëtare të BE-së u shqetësuan se numri i azilkërkuesve nga Kosova u rrit mbi 100 për qind këtë vit, por në shifra konkrete nuk është ndonjë numër shqetësues – megjithëkëtë Kosovës iu dërgua porosi se duhet të vazhdojë me fushata informuese për qytetarët për t’u treguar se cilat janë të drejtat dhe cilat janë obligimet nga liberalizimi i vizave dhe duke ia rikujtuar Kosovës se në rast të keqpërdorimit sistematik vizat edhe mund të rikthehen.
Dialogu pa rezultate
Hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave ishte gjithsesi një prej ngjarjeve kryesore për Kosovën në dhjetë vjetët e fundit e jo vetëm për vitin 2024. Sepse rreziku që liberalizimi përsëri të shtyhej ishte permanent. Dhe në fund kishte edhe propozime që ai të lidhej me hyrjen në fuqi të sistemit Etias, përmes së cilit do të duhej regjistruar të huajt para se të hynin në BE. Po të kishte kaluar ky propozim as sot e kësaj dite nuk do të kishte liberalizim vizash për Kosovën. Kjo grackë u evitua falë vigjilencës së autoriteteve të Kosovës, por edhe me ndihmën e disa vendeve të rëndësishme anëtare të BE-së si Gjermania, Finlanda, Kroacia, Çekia dhe disa të tjera.
Ishte mirë që më në fund liberalizimi i vizave u shkëput nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sepse edhe pse formalisht nuk ishte e lidhur Kosova mbahej peng dhe shantazhohej edhe përmes liberalizimit të vizave për ta detyruar që të bëjë lëshime në procesin e dialogut.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ai vazhdoi në Bruksel, por pa rezultate konkrete. Pati disa takime në nivel të krye negociatorëve, por asnjë takim në nivel të lartë. Dy herë gjatë vitit iu vazhdua mandati Miroslav Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialog. Herën e dytë për t’ia mbajtur vendin e punës pasi refuzoi të merrte postin e ambasadorit të BE-së në Zvicër. Lajçaku më shumë kohë shpenzoi duke marrë pjesë nëpër konferenca të ndryshme nëpër botë, ku fliste për dialogun sesa duke organizuar takime të dialogut. Dhe në fund të vitit u zhvillua një takim mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve në të cilin palët ranë dakord për të nisur me zbatimin e plotë të deklaratës për të pagjeturit. Sado i vonuar, së paku ky pajtim sjell një shpresë për mijëra familjarë që kanë njerëz të zhdukur se do të mund të zbulohet fati i tyre. Si epilog i punës gati pesëvjeçare të Lajçakut del se raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale sesa që ishin para se ai të niste mandatin. Dy sulme në Kosovë, për të cilat edhe BE u shpreh se janë terroriste, janë dëshmi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg normalizimit të raporteve mes tyre.
Përderisa BE-ja gjatë tërë vitit pranoi se Kosova ishte cak i sulmeve terroriste, ajo mbajti masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe nuk vendosi kurrfarë masash ndaj Serbisë. Masat nuk u hoqën as pasi në muajin qershor përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, konstatoi se Kosova i ka përmbushur kushtet për heqjen e tyre dhe ka rekomanduar që BE-ja t’i heqë ato. Përmes taktikave të shtytjeve të diskutimeve, debateve a të hiqen tërësisht apo gradualisht, qëllimisht ato u mbajtën në fuqi deri në fund të vitit. Franca dhe Italia u dalluan mes vendeve që nuk donin heqjen e masave. Por pritet që ato të hiqen sapo në Kosovë të kryhet procesi zgjedhor në vitin 2025. Ndërkohë në BE do të vazhdojnë të blejnë kohë për t’i mbajtur në fuqi. Këtë e bëjnë duke përsëritur se „BE-ja do të heqë masat gradualisht, paralelisht me hapat e Kosovës për të depërshkallëzuar situatën në veri“.
Agjenda e reformave
Dialogu ndikoi negativisht edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndonëse formalisht nuk ishte kush, në fund u bë. Kur Kosova mori mbështetjen e fuqishme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’u bërë anëtare e kësaj organizate, mbeti që këtë vendim vetëm ta formalizojnë vendet anëtare me shumicën prej dy të tretave në Këshillin e Ministrave. Por me presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës e Italisë, që në fund u mbështet edhe nga disa vende të tjera, Kosovës si parakusht iu caktua që të nisë procedurën e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky kusht u bë i qartë me kërkesën që Qeveria e Kosovës të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që e kishte propozuar BE-ja. Qeveria e Kosovës, me apo pa qëllim, humbi këtë rast dhe refuzoi të përmbushë kërkesat e vendeve të Quintit. Ishte naivitet të besohej se pese vendet e Quintit do të heqin dorë nga kërkesa e tyre dhe Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropë pa e përmbushur këtë kusht. Prandaj gjasat janë që Qeveria e Kosovës të ketë vendosur qëllimisht se dëmi që do të sillte nisja e procedurës për themelimin e Asociacionit do të ishte më i madh sesa dobitë eventuale nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Kështu anëtarësimi i Kosovës në këtë organizate evropiane u hoq nga rendi i ditës në takimin vjetor në muajin maj. Pritjet që të organizohej një takim i jashtëzakonshëm ministror i Këshillit të Evropës vetëm për ta pranuar Kosovën si anëtare u dëshmuan si të pabaza. Rasti i parë përsëri mund të jetë në muajin maj apo qershor të vitit 2025. Mosanëtarësimi në Këshillin e Evropës ishte edhe një dëshmi se dialogu më shumë pengon sesa ndihmon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Një prej lajmeve të rëndësishme që erdhën në vitin 2024 për Kosovën nga BE-ja ishte miratimi i agjendës së reformave të Kosovës si kusht për të përdorur mjetet e mëdha financiare nga Plani i BE-së për rritje në Ballkanin Perëndimor. Kosova ishte ndër të parat në rajon që hartoi këtë plan duke përmbushur kërkesat dhe kriteret e BE-së. Nga kjo paketë Kosova pritet të përfitojë më shumë se 800 milionë euro, disa në formën e granteve pa kthim e disa si kredi të favorshme për të cilat garanton Bashkimi Evropian.
Zgjedhjet në BE
Në fillim të muajit qershor u zhvilluan zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ato sollën ndryshime të mëdha në raportin e forcave, që reflekton edhe zhvillimet politike në vendet anëtare. U shënua rritje e madhe e së djathtës ekstreme dhe rënie historike e Socialdemokratëve, Liberalëve dhe të Gjelbërve. Forcë fituese bindshëm doli Partia Popullore Evropiane (EPP), e cila si rrjedhojë do të dominojë jo vetëm në Parlamentin Evropian, por edhe në institucionet e tjera të BE-së. Ndonëse shënuan rritje të dukshme për nga numri i vendeve në Parlamentin Evropian, partitë e ekstremit të djathtë akoma nuk mund të kenë ndonjë pushtet. Kjo për shkak se partitë tradicionale proevropiane, si EPP nga qendra e djathtë, S&D nga qendra e majtë, pastaj Liberalët dhe të Gjelbërit, së bashku kanë votat e mjaftueshme për të miratuar vendimet e duhura. Kjo u dëshmua kur këto parti siguruan votat për të zgjedhur Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, pra deri në fund të vitit 2029. E njëjta ndodhi edhe gjatë votimit për konfirmimin e të gjithë 27 kandidatëve për anëtarë të Komisionit Evropian. Për herë të parë në 20 vjetët e fundit ndodhi që asnjë kandidat për anëtar të Komisionit të mos refuzohej nga Parlamenti Evropian.
Për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor në përbërjen e re të Komisionit Evropian më të rëndësishmet do të jenë Kaja Kallas nga Estonia, e cila do të merret me politiken e jashtme dhe siguri dhe Marta Kos nga Sllovenia, e cila do të jetë komisionere për zgjerim. Të dyja këto zyrtare të larta kanë paralajmëruar në paraqitjet e tyre se do të angazhohen për afrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe për ta bërë realitet procesin e zgjerimit. Kallas, si pasardhëse e ish-përfaqësuesit të lartë Josep Borrel, duhet të vendosë edhe për pasardhësin e Miroslav Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe presidenti i ri i Këshillit Evropian, ish-kryeministri i Portugalisë, Antonia Costa, dëshmoi që në ditët e para të mandatit ët tij se do ta ketë prioritet Ballkanin Perëndimor. Ai së pari organizoi një darkë pune me liderët e rajonit e më pas edhe një samit tashmë të rregullt mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në këto takime u përsërit përkushtimi i BE-së për të vazhduar procesin e zgjerimit, madje edhe për ta përshpejtuar atë, por me porositë e qarta se edhe vendet e rajonit duhet të zgjidhin sa më shpejt mospajtimet mes vete, sikur edhe me fqinjët në BE, për të dhënë kontribut në këtë drejtim.
Viti përfundoi me një avancim të madhe të Malit të Zi dhe të Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërkohë që vendet e tjera, përfshirë edhe Kosovën, mbeten të bllokuara në këtë proces. Por sinjalet e mira që erdhën për zgjerimin e BE-së në fund të vitit 2024 japin shpresë se viti 2025 do të jetë një rast i mirë për të shënuar avancim edhe për vendet e tjera të rajonit. Këtë e ka paralajmëruar edhe Polonia, e cila prej një janarit të vitit të ri merr nga Hungaria rolin e kryesuesit të radhës së Bashkimit Evropian. /Koha