[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Viron Kona: Kreuztanne(Udhëkryq)



 

 

Një libër realist dhe origjinal nga Fate Velaj

 

Sapo përfundova së lexuari librin”Kreuztanne” të Fate Velaj. E lexova shpejt

brenda dy-tri ditësh dhe mund të them se u përfshiva në këtë libër që është, sa

jeta e autorit të librit, aq edhe jeta e njerëzve të afër të tij, të familjes, miqve dhe

shokëve, madje është jeta e thuajse shumicës së shqiptarëve të kohës së

tranzicionit demokratik. Shumëkush  gjen aty veten në këto kohë përpjekjesh për

t`u integruar në mënyrë të plotë në shoqërinë e civilizuar evropiane… Duket se kjo

është jeta shqiptare, dallgë, stuhi, dallgë dhe përsëri stuhi dhe dallgë të tjera. Ato

nuk mbarojnë, por e rëndësishme është sesi ne vozitim për t`i çarë ato dallgë, cili

është vektori që ndjekim, vendosmëria dhe guximi për të përballuar sfidat dhe

vështirësitë që nuk janë të lehta për t`u kapërcyer, aq më tepër që tek ne,

ndonjëherë është më lehtë “të lëvizësh një mal, se sa një mendim”. E teksa

“notoj” në këto përsiatje, autori i ”Kreuztanne”, që është njëherazi dhe

protagonisti, na e ka dhënë me librin e tij një shembull të shkëlqyer dhe

kuptimplotë, një mësim që i vlen gjithkujt, veçanërisht neve në Shqipëri.

Libri ka stil origjinal, nuk ka sforcime dhe sajesa, vjen natyrshëm, ashtu siç vjen

jeta, me gjithë koloritin e saj, me larminë e ngjarjeve, me freskinë  e stinëve dhe të

ngjyrave, që ia lënë natyrshëm vendin njëra – tjetrës. Lexon ato 292 faqe libër dhe

ndjen pranë njerëz të njohur dhe të pa njohur, secili me botën, tiparet dhe

veçoritë e veta; njihesh me tipa dhe karaktere origjinalë, që diku i ke takuar, ke

bashkëbiseduar dhe ke ndarë me ta shqetësime, vështirësi, dhimbje, gëzime…

S`ka rëndësi se çfarë kombësie i përkasin, ata janë njerëz me pamjet dhe vlerat e

tyre, me arritjet dhe mangësitë, të bukur apo të shëmtuar, të shkolluar apo të

pashkolluar, të gjithë janë njerëz të kësaj kohe dhe të kësaj bote. Libri është i të

gjithëve, u shërben të gjithëve,  nuk është lokal, është ndërkombëtar, secili gjen

aty veten, qoftë shqiptar, rumun, hungarez, boshnjak, bullgar, turk, serb, por edhe

italian, francez, austriak e gjerman…Gjithkush, argatë apo pronarë, i thjeshtë apo

shkencëtar, i zakonshëm apo i talentuar, mësues apo nxënës, ata të gjithë janë aty,

vërshojnë në faqet e librit, e më së shumti shkrihen te jeta e protagonistit dhe

personazheve të tjerë, ata flasin dhe rrëfejnë natyrshëm, veprojnë si njerëz të këtij

shekulli, me arritjet dhe paragjykimet, me mangësitë dhe përparësitë, ata janë

edhe anakronikë edhe modern, janë jo stampë apo si “të nxjerrë nga fabrika”, por

të lindur dhe të rritur në natyrën e lirë, edhe në fusha dhe malësi, edhe në lugina

e brigje, edhe mes malesh me borë, veçse kudo dhe kurdoherë shfaqen në faqet e

librit origjinalë, me pamje,fytyrën,lëvizjet dhe me zërin e secilit. Mendoj se kjo

vlerë origjinale është një tjetër meritë e që na e dhuron “Kreuztanne”.

 

 

 

Libri  ka një dramaturgji të brendshme, që intrigon e të bën të mos e lëshosh nga dora.

Mjediset dhe personazhet janë portretizuar qartësisht bukur. Në çdo situate lexuesi

është pranë apo bashkë me protagonistin, ai përjeton jetën në emigracion, vështirësitë

që ndesh mërgimtari veçanërisht në fillim, kur i duhet të mësoj të flas e komunikojë me

vendasit, kur i duhet të gjej punë dhe të tregoj edhe ai personalitetin, vlerat dhe aftësitë

e tij për t`iu përgjigjur kërkesave të vendit ku ka shkuar. Nuk thuhet kot “Si vendi, edhe

kuvendi”, ndryshe në vendin tënd dhe ndryshe mes njerëzve të një vendi të panjohur më

parë, aq më tepër kur aty ndodhen edhe të tjerë në pozitën e refugjatit, edhe ata, të

ardhur nga vende të ndryshme apo siç shigjeton autori, nga vendet e Traktatit të

Varshavës…

Përparësitë e Perëndimit janë të dukshme në raport me pjesët e tjera të globit. Njeriu aty

është jo thjeshtë qenie, që lufton për mbijetesë, por ai është edhe vlerë, ai pranohet,

respektohet, vlerësohet por edhe mbështetet e ndihmohet. Autori e thekson këtë

nëpërmjet veprimeve të njerëzve, marrëdhënieve që krijon shteti austriak apo vendasit

me mërgimtarët, ata trajtohen pa paragjykime dhe ndihmohet sinqerisht me  mundësitë

ekzistuese. Shteti dhe banorët i ndihmojnë mërgimtarët dhe mendojnë se si t`ua

lehtësojë hallet dhe vështirësitë…Ata janë të ndjeshëm, nuk janë indiferentë ndaj jetës së

të tjerëve, nuk veprojnë me ekstremitet kundër tyre. Është një botë e ekuilibruar, e gjerë

dhe humane, me vlera dhe mësime që i ka fituar nga përvojat e vështira që ka kaluar në

dekada e shekuj. Veçanërisht ideja e Evropës së bashkuar, një ide e madhe e njerëzve

përparimtarë dhe modernë, të cilët kanë projektuar dhe programuar sesi t`u vijnë në

ndihmë edhe atyre që janë të prapambetur, në mënyrë që një ditë të afërt, edhe ata të

ecin me hapin e më të përparuarve.

 

 

Kompozicioni i librit? Nuk është se është zbatuar ndonjë ligj apo rregull, libri ecën

në vijë të drejtë, pa kthesa, pa ulje dhe ngritje, pa sajesa dhe letrarizma artificiale,

ai vjen natyrshëm, fare natyrshëm…Them se mbase kështu është më mirë, që

lexuesi të mësoj se si e nisën shqiptarët jetën e ekonomisë së tregut, se si iu futën

me vrull dhe dëshirë të plotë demokracisë, se si u përpoqën të integrohen në

ekonominë dhe jetën perëndimore, duke treguar potenciale, se edhe ata  janë si

të tjerët, me kulturën, arsimin dhe nivelin e duhur për të qenë të barabartë mes të

barabartëve…Historia na ndihmon shumë ne shqiptarëve për të ngritur dhe

mbajtur lart dinjitetin tonë, mjafton që, ndonjëherë, ta thërresim atë, të thërresim

për ndihmë korifenjtë e saj dhe, mësimet që do të përfitojmë janë nga më të

çmuarat. Shqipëria ka një hero të madh si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili bëri

shumë për historinë e  popullit shqiptarë, për lirinë dhe pavarësinë, por edhe për

Evropën, e mbrojti atë nga okupacioni dhe sundimi osman; Shqipëria

përfaqësohet me një Shenjtore të rrallë, Nënë Terezën, që e njeh dhe e nderon e

gjithë bota, e ka model të mirësisë dhe humanizmit; Shqipëria krenohet me

Aleksandër Moisiun… E kështu, ajo tregon tri faqe të trekëndëshit: liri-pavarësi,

paqe dhe humanizëm, art dhe kulturë. Me këto përfaqësime dhe cilësi të tjera të

vyera, është e mundur të arrihet gjithçka e mirë dhe bashkëkohore për popullin

tonë  vital, prandaj e ardhmja e tij, është e ardhmja evropiane, pavarësisht

pengesat, paragjykimet, “shkopinjtë nën rrota”…Koha do të eci edhe për

Shqipërinë, ndonëse edhe ne vetë duhet të ndihmojmë më shumë në këtë

ecje…Dhe, në këtë kontekst, them se ne na ndihmon gjithçka e vërtetë dhe

përparimtare, na ndihmojnë shembujt për të cilin kemi nevojë, dhe, mendoj se

“Kreuztanne” është një shembull i tillë.

Libri fokuson episode dhe ngjarje që  përkojnë me natyrën. Protagonisti, herë

kalon ditë të qeta në normalitetin e  tyre, herë ditë me ngrica dhe akuj. Realiteti

shkakton në jetën e tij edhe shkulma gëzimi, edhe shkulma hidhërimi e dhimbje,

por, që, gjithnjë rrethohet nga dashuria, paqja dhe mirësia e njerëzve të dashur që

ai i ka merituar t`i ketë pranë, ai dhe familja e tij, bashkëshortja dhe fëmijët, miqtë

dhe banorët e shumtë të vendlindjes apo të vendit të emigrimit ku ai banon dhe

punon.

Shkaktojnë emocion të fortë episode dhe ngjarje kur protagonistit i duhet të

kapërcejë vështirësi, dhe që ai ia del në krye. Arritjet dhe sukseset e tij nuk se

kanë ardhur spontanisht, por sepse vetë rrjedha e natyrshme e tyre ka çuar në

rezultat. Me emocion të fort përshkruhet veçanërisht çelja e ekspozitës së parë

figurative. Lexuesi kupton se arritja  e saj  nuk është e rastit, por një ëndërr e

protagonistit, e “projektuar”  që në fëmijëri, kur babai i tij i mrekullueshëm, i

shkolluar, i arsimuar, njeri që e njihte jetën dhe botën, i tregonte birit të tij

bukuritë e Gjirit të Vlorës, bukuritë e qiellit dhe të detit, të kodrave dhe maleve, të

kështjellave dhe kalave  e, sidomos të Kaninës së lashtë, vendit që ka nxjerr në

shekuj burra shteti, heronj dhe heroina… Fate Velaj pikëzon këtu faktin se arti ka

aftësinë t`i lidhi dhe t`i afrojë njerëzit, të çfarëdo kombi qofshin, prandaj dhe

aftësia dhe talenti i personazhit kryesor të librit, jo vetëm zgjoi interesimin  e

vendasve, por edhe dëshirën e  tyre për t`u njohur nga afër dhe, pastaj, pa

paragjykime, për ta parë e trajtuar atë si të barabartë.

Në të gjithë faqet e romanit ndihet vendlindja  e autorit, Vlora me historitë dhe

bukuritë, me vlera dhe njerëzit e dashur, ata janë në çdo hap, ata  e shoqërojnë

protagonistin e librit vazhdimisht, sa herë ai ndihet në vështirësi ata i ka pranë:

nënën, babanë, motrat, mbesat e bukura, të gjithë njerëzit e tij të dashur…Por ai

ka edhe kulturën dhe edukatën e lartë, është njeri me personalitet, prandaj fiton

dhe simpatinë  e vendasve meshkuj apo femra, me pozitë apo të thjeshtë, fiton

edhe simpatinë e mërgimtarëve të tjerë, nga Shqipëria dhe shtete të tjerë dhe, të

gjithë ata e tregojnë respektin, me mirësinë e tyre, duke iu gjendur siç e kanë

zakon njerëzit  e mirë. Në momentin kur ai u fut në shtëpinë e re, ashtu edhe kur

fëmija e tij e parë nuk ia arriti të dilte në jetë, njerëzit e afërt dhe të tjerë iu

gjendën me praninë e tyre, me gatishmërinë për t`i ardhur në ndihmë, ata morën

pjesë sinqerisht në dhimbjen e tij, ndihmuan në lehtësimin sadopak të saj…Sa

nevojë ka njeriu në raste të tilla! Gjithkush e di, kjo nuk është e re, jeta ka shumë

të papritura, ajo është edhe befasuese, edhe e ëmbël, edhe e hidhur, e, gjithsesi,

ajo në çdo rast duhet përballuar.

Asgjë nuk vjen vetvetiu pa punuar dhe pa luftuar, pa iu gjendur të tjerëve dhe pa i

ndihmuar edhe ti ata. Ke miq kur je edhe vet mik. Jo vetëm: ”Mirë se të gjeta!,

por, edhe: “Mirë se erdhe!” Këtë çelës të artë të jetës, banori i ri i “Kreuztanne”  e

di mirë, shumë mirë, ndaj ai është tip shoqëror e miqësor, i do njerëzit dhe i

respekton, është i drejtë dhe i ndershëm me ta, nuk abuzon dhe nuk përfiton

padrejtësisht, madje ai harrin deri atje, saqë, kur qyteti që e mirëpriti u përmbyt,

ai hapi një ekspozitë me piktura dhe, shumën e fituar ia fali banorëve në nevojë të

qytetit… Dhe, gjithçka në këtë botë shpërblehet, asgjë nuk lihet në harresë,

ndonjëherë disi vonë, por boshllëk nuk ka. Prandaj dhe protagonisti i librit, vet

autori Fate Velaj, siç lexojmë në fund të librit, në faqen e biografisë së tij është

nderuar: Në vitin 2014-në Cleveland, Ohio-Usa, kryetari i bashkisë i dorëzon

”Rezolutën e mirënjohjes” për punën e tij nëpërmjet artit dhe kulturës si ndërtues

urash midis popujve. Në vitin 2013 – Presidenti i Austrisë  i akordon medaljen e

lartë ”Kryq i artë i kalorësit të shkallës së I”- për merita të veçanta për Republikën

e Austrisë. Në vitin 2011 – Presidenti i Parlamentit Europian, i jep medaljen e lartë

“Civi Europaeo Preamium”(Qytetar Europian) për merita të veçanta për Bashkimin

Europian. Në vitin 2003-në Kryeministrinë e Austrisë, i dorëzohet

medalja”Bundesehrenzeichen”-(Qytetar Nderi) për merita të veçanta për

Republikën e Austrisë. Ndërkaq, ai fiton disa çmime: Në vitin 2009-në Novoli, Itali

fiton çmimin”Focara” për fotografinë bashkëkohore. Në vitin 2003-në Sanremo,

Itali fiton çmimin e parë në “Sanremo Arte” për pikturën bashkëkohore. E cili nuk

do të ndihej i nderuar me këto arritje,vlerësime dhe çmime, që sintetizojnë një

jetë luftarake dhe përpjekje të njeriut të  kohëve moderne…

“Kreuztanne” vjen me një natyrshmëri tërheqëse, aty gjen përshkrime të

mrekullueshme të natyrës. Autori, duke qenë piktor, ashtu siç “vozit” penelin në

peizazhe dhe skicime, ashtu dhe skicon tipa dhe karaktere që shfaqen të gjallë

përpara lexuesit, të bukur dhe të mirë, por edhe me mangësitë, pasi vetë jeta dhe

shoqëria njerëzore vjen e tillë, ajo nuk është e arrirë plotësisht, ndërkohë që ajo

rendë e vërshon drejt perfeksionit. Përshkrimet përbëjnë  vlerë të veçantë të këtij

libri, ato janë plot gjallëri dhe ngjyrë, me dritë hije dhe sikur ndjen në to deri dhe

erën e ngjyrave, lagështinë e tyre përpara tharjes në kanavacë. Sikurse shfaqen aq

të gjallë dhe duke lëvizur përpara teje, si përpara një skene plot dritë të teatrit,

personazhet e librit, shokët, kolegët dhe miqtë e protagonistit, ata vendas dhe ata

mërgimtarë: Arturi, Guri, Syckoja, Pauli, Anemmarie, Fritz, Daniela, Dr. Kladnig,

Ricard Brahun… Janë të gjithë personazhe të dashur për heroin e librit: Babai i tij

që kishte studiuar në BS dhe që punonte në Shqipëri në sektorin e vështirë të

naftës; nëna e urtë dhe e dashur, gjithnjë e merakosur; motrat aq të dashura;

mbesat dhe njerëzit e tjerë të familjes….

Titulli i librit “Kreuztanne”, që do të thotë “Udhëkryqi”, nga fjala “Kreuz”, që

gjermanisht do të thotë kryq, jo vetëm që është një titull tërheqës dhe  intrigues,

por edhe domethënës. Kështu është jeta  e njerëzve, gjithnjë kanë përpara një

udhëkryq, ata janë gjithnjë përpara një vendimi. Sidomos kur hallet dhe

vështirësitë janë shumë të mëdha, udhëkryqi është më i koklavitur, ndaj ai kërkon

orientim dhe qartësi, dritë që të çajë rrugët dhe të gjejë orientimin e

duhur…”Kreuztanne” është dhe jeta e çdo mërgimtari, që jeton gjithnjë përmes

dilemave dhe udhëkryqeve dhe ku i duhet të zgjedh dhe të vendos për fatin e tij

dhe të familjes. Me romanin e tij Fate Velaj na e jep drejt dhe qartësisht si drita e

diellit orientimin në këtë udhëkryq, mjafton që të nisim leximin e këtij libri se,

pastaj, ashtu siç ndodh në legjendën me fillin e Ariadnës, filli i artë të tërheq vetë,

të tregon rrugën për të dalë nga labirinti i herrët dhe i turbull, për ta lënë atë

përgjithmonë pas dhe për të qëndruar vetëm  në dritën e diellit…