Sot është dita e fundit e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Duket se tensionet e rritura ditët e fundit nga partitë e opozitës janë bërë shumë të rrezikshme.
Pak ditë më parë në Elbasan mbeti i vrarë, Pjerin Xhuvani, simpatizant i Partisë Socialiste, ndërkohë Partia Demokratike duket se jo vetëm që nuk do të distancohet nga dhuna, por justifikon vrasjen dhe nxit më shumë përplasje.
Së fundmi ka qenë drejtuesi politik i Lulzim Bashës në Qarkun Dibër, Xhelal Mziu i cili ka shokuar me deklaratën e tij.
“Kemi ngritur grupet e gatshme, nga sot dhe në vazhdim çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, deklaron Mziu në këtë takim, duke i nxitur mbështetësit e PD-së që të rrëmbejnë dhe armët.
Pasi organizoi dhe drejtoi një tjetër rast peng marrjeje nga strukturat e armatosura të PD në Maqellarë të Dibrës së bashku me kandidatin tjetër, Luan Haka dhe qindra militantë, Xhelal Mziu ka bërë thirrje për vrasje.
Ai garantoi militantët se kushdo që është i dyshuar do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit, duke iu referuar të ndjerit Pjerin Xhuvani.
Ai jo vetëm ka pranuar vrasjen e bërë nga grupi i armatosur në Partinë Demokratike, por paralajmëron të tjera vrasje.
“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sonte në vazhdim çdo person që lëviz në lagjet tuaja mjaftoj një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit”, ka thënë Xhelal Mziu.
“Mbrëmë u vra njëri për shkak të shpërndarjes së parave, sot shpëtoi ky. Unë i bëj thirrje të gjithë banorëve të Dibrës që të dalin ta mbrojnë me gjak, me sëpatë, me drunj apo me çfarë të dalë përpara votën”, tha ndër të tjera ai.
Ai pretendon se në makinën që bllokuan dje kishte karta identiteti dhe fotokopje të fletëve të votimit me emrin e kandidatit të PS, së Melaim Damzi./Botapress/