Qindra projekte kapitale kanë mbetur të bllokuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit, si rezultat i mungesës së bordit. Kësisoj është rritur edhe rreziku për keqpërdorime nga ana e institucioneve publike lidhur me procedurat tenderuese, ngase vlera e tenderëve ku ka dyshime për shkelje nga ana e institucioneve ka arritur në 200 milionë euro.
Më të ardhur në pushtet, Qeveria Kurti ka anuluar konkursin për anëtarë të bordit të OSHP-së, i cili ishte shpallur në kohën e qeverisë Hoti. Por, as me procedurat të cilat i udhëhoqi vetë, Qeveria nuk është e kënaqur. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë kundër disa emrave që janë selektuar për t’u votuar në Kuvend, andaj edhe ka dështuar miratimi i anëtarë të bordit, shkruan lajmi.net.
Nnga Organi Shqyrtues i Prokurimit, kanë treguar se kanë pranuar qindra ankesa, prej kohës kur nuk ka Bord, dhe të njëjtat kanë mbetur pezull, ndonëse ky organ ka mundur t’u jap përgjigje vetëm nga ana e ekspertëve të tyre, por jo të ketë vendim final në to.
“Gjithsejtë për periudhën Janar 2021 deri më datën 24.11.2021 janë deponuar 820 ankesa. Ankesa te shqyrtuara deri sa ka qenë bordi funksional janë 243 në vlerën totale nga vlera e parashikuar prej 60,958,077.06 euro. Ankesa te pa shqyrtuara ne mungese te bordit janë gjithsejte 577 te cilat kapin shumen nga vlera e parashikuar ne kontrate rreth 200,000,000.00 euro. Ankesa te shqyrtuara nga ekspertet për lendet e pa shqyrtuara janë përafërsisht 550. Ekspertiza në favor te AK-se janë gjithsejte 210. Ekspertiza ne favor te OE-ve janë gjithsejte 340. Ankesa për te cilat nuk është lëshuar ende ekspertiza janë gjithsejte 27”, thuhet në një përgjigje të OSHP-së, për lajmi.net.
Sipas këtij institucioni, tek shuma e vlerës është llogaritur shuma nga “vlera e parashikuar” e aktiviteteve të prokurimit dhe në këtë shumë hyjnë edhe vlerat e ankesave që janë të përsëritura për aktivitetin e njëjtë.
Kandidatët të cilët janë propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OSHP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7, Faruk Rexhaj 28, Adem Spahiu 26.3 dhe Ruzhdi Morina 26 pikë.
Sipas Agon Hysaj, nga “Instituti Demokratik i Kosovës”, i cili merret me monitorimin e proceseve të prokurimit, mungesa e bordit të OSHP-së ka pasoja të mëdha në tenderët për të cilët veçse janë dorëzuar ankesa.
Hysaj, thotë se se një pjesë e madhe e këtyre mjeteve janë investime kapitale që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.
“Që nga data 31 mars 2021, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord dhe si rezultat ankesat e operatorëve ekonomik nuk mund të shqyrtohen. Të gjithë tenderët për të cilët ka ankesa janë të pezulluar dhe nuk mund të ndërmerret asnjë veprim nga ana e institucioneve deri sa të emërohet bordi i OSHP-së. Deri më tani, janë dorëzuar mbi 700 ankesa për. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve janë investime kapitale që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve”, thotë ai.
Tutje, Hysaj thekson se vonesa e krijimit të bordit të OSHP-së shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale, si dhe mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave.
“Pasi tani është fundi i vitit fiskal shumë mjete do të tërhiqen dhe në raportin e Auditorit për vitin 2021 ku shumë komuna do të dalin më përqindje të ulët të realizimit të buxhetit për investime kapitale” shprehet ai.
Sipas tij, Kuvendi duhet ta marrë seriozisht këtë problem dhe të votohen sa më parë emrat e propozuar nga komisioni.
Dhjetë institucionet ndaj të cilave është ushtruar më së shumti ankesa nga 1 janari 2021 deri më 24 nëntori janë: Korporata Energjetike e Kosovës me 56 ankesa, Komuna e Prizrenit me 51, komuna e Prishtinës 44, SHSKUK, 41, Komuna e Gjakovës, 31, Policia e Kosovës 26, Ministria e Infrastrukturës 25, Ministria e Shëndetësisë, 21, QKUK, 20, dhe Komuna e Ferizajt 19 ankesa.
Anëtarët e komisionit, në përbërje të gjykatësit, Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, gjykatëses Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme si dhe gjykatësit Nenad Llaziq nga Gjykata e Apelit, kanë rekomanduar për kryetar të OSHP-së kandidatin Ardian Beha, ndërsa për anëtarë kanë rekomanduar kandidatët Hasim Krasniqi, Faruk Rexhaj, Adem Spahiu si dhe Ruzhdi Morinën.
Përfaqësuesit e projektit të Ambasadës Britanike, kanë vlerësuar për anëtare të OSHP-së kandidaten Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa për kryetar të OSHP-së kanë rekomanduar kandidatin Ardian Beha. Kurse për anëtarë të tjerë të OSHP-së kanë rekomanduar kandidatët Ruzhdi Morina, Boban Petkovic, Faruk Rexha, Shqipe Hoti dhe Gazmend Gashin.
Në Kuvendin e Kosovës, ku edhe pritej të votohej për emrat e anëtarëve të OSHP-së nuk është arritur një gjë e tillë, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm. Për këtë pikë të rendit të ditës kanë votuar vetëm 52 deputetë, ku pozita ka qenë kundër. Qeveria dhe partia që ka shumicën në Kuvend janë kritikuar nga opozita se të njëjtit nuk kanë shprehur qëndrim për listën e propozuar për anëtarët e bordit të OSHP-së.
Opozita ka kritikuar ekzekutivin që nuk po mban qëndrim për këtë listë të propozuar.
Paraprakisht, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Qeveria e Kosovës duhet të japë qëndrim rreth emrave të propozuar për bordin e OShP-së.
“Nga 31 marsi ky organ nuk funksionon, ose më mirë të them i ka skaduar mandati bordit të kaluar. Dhe ju e dini që këtu në këtë institucion kalojnë një mori e projekteve kapitale që ndoshta e kapin vlerën rreth 300 milionë euro. Pra, ne duhet të dimë opinionin ose qëndrimin e kësaj qeverisë. A duhet të votohet, apo të rrëzohet kjo përbërje apo ku qëndron qeveria në raport me këtë pikë”, ka shtuar Tahiri.
Më pas, ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se deputetët duhet të sigurohen që personat që përzgjidhen të kenë edhe kriterin e integritetit.
“Ju takon deputetëve që të përzgjedhin dhe të përcaktohet që kjo listë finale që ka kaluar në këta dy filtra, a i plotëson kushtet apo jo. Është shumë me rëndësi të thuhet që normalisht personat përveç kritereve objektive duhet të kenë edhe kriterin e integritetit. Duhet të sigurohemi që këta persona që votohen të kenë edhe integritetin e nevojshëm, për shkak se kemi pasur raste në të kaluarën kur janë marrë vendime të çuditshme nga ajo trup. Dhe arsyetimi ka qenë për palët që kanë hup rastin, që po ua kthejmë tarifën që e keni paguar meqenëse e keni një gjysmë të drejte, por ne po mendojmë që duhet shpërblyer kontrata dikujt tjetër”, ka thënë Murati.
Situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa Bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013. Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.
Bordi i ri në atë kohë, me një konkluzion ka vendosur për mosshqyrtimin e ankesave që ishin mbledhur gjatë vitit 2013, me arsyen se ka kaluar afati për shqyrtimin e tyre.