Analisti Shkëlzen Gashi, dikur këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mospërmbushjen e disa premtimeve, që lidhen me krimet e luftës në Kosovë. Ai ka thënë se për të parë ngecjet në këtë fushë, mjafton të krahasohet programi i Vetëvendosjes për zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021 me programin e hartuar nga Qeveria. Për ligjin e propozuar nga VV’ja për themelimin e Institutit për Krimet e Luftës, ku përfshihen edhe krimet që kanë ndodhur pas luftës, Gashi ka thënë se Vetëvendosja do ta kallte Kuvendin nëse ndonjë prej partive opozitare do të propozonte një ligj të tillë.
Gashi ka thënë se qe 18 muaj s’është bërë asgjë për fuqizimin e kapaciteteve profesionale të Prokurorisë Speciale, përkatësisht Departamentit për Krimet e Luftës, që ka qenë premtim i Vetëvendosjes.
“Edhe tash është mirë me marrë programin e saj, programin e partisë politike Lëvizja Vetëvendosje kur ka garu në zgjedhjet të shkurtit 2021, edhe me marr programin që e ka hartu kur është bë Qeveria e Kosovës, edhe me pa çka kanë ba për këtë fushë. P.sh pika e parë ka qenë që na kemi me i fuqizu kapacitetet profesionale të Prokurorisë Speciale. Dmth në Prokurori Speciale është një department që merret me krimet e luftës dhe kanë thanë ne kemi me i fuqizu kapacitetet aty, me ba gjyqtarë ma shumë, prokurorë ma shumë, eskpertë ma shumë që kanë me punu në Prokurorinë për krime lufte. Për 18 muaj, dmth është duke shku gjysma e mandatit, nuk ka diçka në qët pikë”, ka deklaruar Gashi në “Pressing” të T7.
Sa i përket themelimit të Institutit për Krimet e Luftës, Gashi ka thënë se u janë dashur 18 muaj për ta krijuar, kur, sipas tij, ky institut do të mund të themelohej për katër ditë apo katër muaj më së shumti.
“Pikën e dytë kanë thanë do ta themelojmë Institutin për Krimet e Luftës, për krimet gjatë luftës në Kosovë. 18 muaj iu kanë dasht me për me ba një draft me miratu në Qeveri, i cili i ka krejt 2 mijë fjalë dhe katër faqe tekst. Katër faqe për me i miratu në Qeveri iu kanë dasht 18 muaj. E tash këtu kalojnë edhe nja 6 muaj deri sa ai të kalon nëpër komisione në Kuvend, diskutim publik, të konsultohet shoqnia civile. Deri sa ta nënshkruan Presidentja shkon gjysma e mandatit. 50 përqind e mandatit të Qeverisë Kurti për me themelu Institutin për dokumentimin e krimeve që kanë ndodh gjatë luftës. Një send që ka mujt me u kry, hajde jo për 4 javë, edhe pse unë jam i bindur që ka mujt me u ba për katër javë, apa katër muaj, por kanë shku 18 muaj deri sa e kanë ba”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se Vetëvendosje tash po propozon një ligj, ku përfshihen edhe krimet që kanë ndodhur pas luftës.
Sipas tij, po ta dërgonte në Kuvend një ligj të tillë ndonjë prej partive opozitare, Vetëvendosje do ta kallte Kuvendin.
“Seni tjetër, është që këta kanë pas presion ndërkombëtar për me i përfshi edhe krimet që kanë ndodh pasluftës në Kosovë, dmth mbas 12 qershorit të vitit 1999. Unë jam dakord me idenë që duhet me përfshi edhe krimet që kanë ndodh në Kosovë pas luftës, por jo edhe viti 2000. Këta e kanë përfshi edhe vitin 2000. Me e pas ba PDK’ja qëta, AAK’ja, Nisma po edhe LDK’ja, me e pas miratu një ligj për themelimin e një Instituti për Krimet e Luftës, që i përfshin edhe krimet që kanë ndodh mas luftës, a mundeni me imagjinu se çka kish me ba Vetëvendosja në Kuvend të Kosovës kur kish shku ky ligj? Po të kallxoj unë, kish me kallë Kuvendin. Tash vetë e propozon një ligj, ku përfshihen edhe krimet që kanë ndodh pas luftës”, ka thënë ish-këshilltari i Kurtit.
Gashi është shprehur pesimist për përbërjen që do ta ketë ky institut, duke thënë se do të mbushet me njerëz joprofesionalë, jo objektivë dhe militantë të Vetëvendosjes.
“Thelbi i thelbit të kritikës tem për këtë Institut është që kanë me e ba keq, kanë me e themelu me njerëz joprofesional, me njerëz joobjektivë, me entuziastë në rastin më të mirë ose me militantë të subjektit politik që e drejtojnë vetë”.
Për padinë për gjenocid kundër Serbisë që ka paralajmëruar partia në pushtet, Gashi ka thënë se kanë kaluar 18 muaj e s’është shkruar as edhe një rresht për këtë.
Ai ka përmendur edhe premtimet e tjera të papërmbushura në këtë gjysmë mandati të Qeverisë Kurti.
“Kanë thënë që kanë me u angazhu për hartimin e politikave për drejtësi tranzicionale, e kanë pas si pikë katër. As për ata s’kanë ba kurgjë. Kanë thanë kemi me zhvillu një reform reparative. As për këtë s’kanë bë kurgjë. Kanë pas plot sende tjera. Kanë thane kena me themelu një komision parlamentar në Kuvend të Kosovës, i përhershëm për krimet që janë kry në Kosovë. 18 muaj kanë shku, s’e kanë themelu as këta. Kena me rishiku mandatin e departamentit për krime lufte brenda Prokurorisë Speciale. As ata s’e kanë ba. Një njësi të veçantë të specializume brenda Agjencisës ë Kosovës për Forenzikë. As këta s’e kanë ba. Kena me miratu legjislacion të veçantë për mbrojtjen e identietit të viktimave të luftës, as këta s’e kanë ba. Deri edhe një send tjetër e kanë propozu mbrenda Fakultetit Juridik, me themelu një department për drejtësi trancizionale, as qata s’e kanë ba”, ka thënë ai.
Lajmi i fundit nga Prokurori i Shtetit: 114 aktakuza të ngritura…
Por, edhe nëse formohen, Gashi thotë se duke i parë punët që janë bërë këta 18 muaj, s’ka shpresë se do të jenë profesionale.
“Por edhe kur t’i bajnë, t’u i pa puntë që i kanë ba për 18 muaj, kanë me i ba keq. Kanë me i ba me njerëz joprofesional, joprofesionistë, kryesisht me entuziastë dhe militantë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Gashi ka qenë këshilltar i kryeministrit Kurti në Qeverinë Kurti 1./Botapress.info/