[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Veprimtaria e kompanisë që la veturën e dyshimtë te Grandi (Foto)



Mësohet se “Profi Taxi Kosovska Mitrovica” është kompani që vepron në pjesën veriore të vendit. Ata punojnë 24 orë, nën moton “ sigurtë”, “shpejt” dhe “lirë”.

Sipas të dhënave të kësaj kompanie në Facebook, kjo kompani ka vetura me regjistrim të viseve të ndryshme të Serbisë.

Ata nuk i janë përgjigjur Gazetës Tribuna, se kush dhe për çfarë arsye është lënë vetura e kësaj kompanie aty.

Policia e Kosovës e ka bllokuar hyrjen te Hoteli “Grand”, pasi kanë gjetur një veturë të braktisur me targa të Beogradit, që ka mbishkrimet e kësaj kompanie të taksive.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti ka thënë se vetura është gjetur rreth orës 16:00, në rrugën “Garibaldi”.

Policia e Kosovës ka bërë me dije se në veturën me targa të Beogradit, që është ndaluar para Hotelit Grand, nuk është gjetur asgjë. Sipas Policisë, pas ekzaminimit që i ka bërë njësiti policor është konstatuar se nuk ka asnjë mjet dyshues në veturë.

“Rreth orës 16 ne kemi hasur në një makinë këtu, ka qenë e braktisur”, ka thënë Rexhep Sijarina, shef i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

“Vozitësi i veturës sipas dëshmitarëve e ka lënë veturën ndezur dhe ka dalë në drejtim të sheshit. Pas hetimeve preliminare që kemi zhvilluar kemi arritur të kuptojmë që vozitësi ka shkuar në Graçanicë. Fillimisht e kemi marrë si veturë të dyshimtë, ku kontrollet e para nuk kanë rezultuar që ka mjet të dyshimtë në të”, ka treguar Sijarina.

“Ne do ta bëjmë edhe një kontroll. Për momentin gjithçka është nën kontroll. Edhe vozitësi, edhe personat e tjera që kanë arritur të na japin informacione në detaje”, ka thënë Sijarina.

“Në makinë kanë qenë disa gjësende të vozitësit, disa para që kanë qenë në ulësen e pasagjerit dhe një telefon. Ato i ka lënë ai më herët, dhe makina ka qenë e ndezur. Ato nuk kanë qenë të dyshimta, kemi menduar se mund të ketë diçka tjetër të dyshimtë”, ka bërë të ditur Sijarina.

Makina, pasi të kryhen disa procedura, do të largohet nga këtu, ka treguar Sijarina. /GazetaTribuna/