[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Veliu: Qeveria e Kosovës sot po cenon ato marrëdhënie që dikur i ndërtoi Rugova



 

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbajtur një akademi përkujtimore për nder të 12 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit historit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në një fjalë rasti, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka folur rreth jetës dhe veprës së Rugovës. Ndërkohë, ai ka përmendur edhe punën e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij, nuk është ajo për të cilën ka punuar Ibrahim Rugova.

Duke iu referuar çështjeve nëpër të cilat po kalon Kosova si demarkacioni, Gjykata Speciale, liberalizimi i vizave, Veliu ka thënë se ishte Rugova ai që i ka ndërtuar marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, kurse tani disa politikanë po i cënojnë ato.

“Për gati dy dekada Rugova ishte artikuluesi më i mirë në gjithë botën kundër padrejtësive që i bëheshin shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Ai krijoi lidhje të përjetshme mes popullit të saj me Evropën dhe aleatët euro-atlantik. Këto lidhje ekzistojnë edhe sot ndonëse ka tendenca të vazhdueshme brenda dhe jashë vendit për ta cënuar këtë aleancë historike. Këtë shtet e kanë krijuar gjenerata të tëra dijetarësh dhe veprimtarësh dhe nuk mund të nëpërkëmbet nga disa politikanë që njohin vetëm interesat personale, pavarësisht kostos qe bartin qytetarët e vendit. Sot Kosova është më e izoluar sesa në vitet e 90-ta kur Rugova vepronte nën regjimin serb. Dyet janë mbyllur për shkak të politikanëve joserioz dhe kauzave të rrejshme të tyre, të cilët qëllim të vetëm e kishin ardhjen në pushtet”, ka thënë ai.

Veliu e ka quajtur Rugovën njeri të epokave, i cili ishte frymëzues për liri, pavarësi dhe demokraci.

” Gjatë jetës së tij Rugova na udhëheqi me standardet më të larta në politikë, ishte krijues kulminant dhe njeri shembullor. Senatori amerikan thoshte se ashtu si presidenti amerikan Abraham Linkoln, presidenti Rugova është bërë njeri i epokave. Rugova ishte dhe mbetet për gjenerata të tëra, njeri i epokave…Mënyra siç qeveriset dhe drejtohet Kosova sot, është e kundërt me atë që na ka mësuar Rugova. Kosova do të zhvillohet ekonomikisht, do të forcohet sovraniteti, vetëm nëpërmjet aleancës së ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë tutje Veliu