Një përleshje mes dy persona mesditën e së enjtes ka tronditur Gjilanin e më gjerë. 40 vjeçari nga fshati LLashtic Ismajl Cani gjeti vdekjen pasi u therr me thikë nga 29 vjeçari Bardhyl Zeqiri nga fshati Uglar.
Por akoma nuk janë dhënë detaje nga organet e ndjekjes dhe hetuesisë lidhur me arsyen e kësaj vrasjeje, derisa jepen versione të ndryshme.
Rasti ka ndodhur tek kafiteria Viva la afër shkollave të mesme, mesitën e së enjtes, derisa dorasi është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Burime nga prokuroria tregojnë se janë duke vazhduar hetimet dhe deri tash nuk dihen motivet e vrasjes. “I dyshuari me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë”, thonë nga PTHGJ.
Burimet tregojnë se prokurori pritet që të kërkoi gjykatë masën e paraburgimit e cila pritet të vendoset edhe nga Gjykata Themelore e GJilanit sot pasdite.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, ka treguar për plagët vdekjeprurëse që i mori viktima.Viktima ka marrë plagë nga mjeti i prehtë thika, në qafë, në gjoks dhe në dorën e djathtë. Sipas doktor Arsim Emini, ai është sjellë në Spitalin Rajonal të Gjilanit pa shenja jete.
“Viktima ka pësuar plagë, shpuese-therëse me madhesi mbi 15 cm në pjesën e përparë të qafës. Ka pësuar plagë therëse në anën e majtë të gjoksit, para dhe prapa. Plagë therëse ka pasur edhe në dorën e djathtë”, tha Emini.
Policia njofton se me 24 qershor 2021 rreth orës 13:15 Policia e Kosovës në Gjilan është njoftu për një rast “Therrje me thikë”.
Njësitet relevante të policisë së Kosovës kan dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes. Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit toger Ismet Hashani, ka treguar se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe mjeku kujdestar ku vetëm ka mundë me e konstatu vdekjen e Viktimës i moshës madhore.
Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili dyshohet të jet i involvuar në këtë rast të rëndë. Për rastin është njoftu prokurori i shtetit. Për momentin nuk dihen motivet dhe rrethanat që kan qu në këtë rast të rëndë.
Hetimet rreth këtij rasti të rëndë jan duke i udhëheq Hetimet Rajonale nga Policia e Kosovës në kordinim me Prokurorin e Shtetit.
Derisa nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, kanë treguar se gjatë ditës së enjte, me 24 qershor 2021, rreth orës 13:30 minuta, në një kafiteri në Gjilan, në afërsi të shkollave të mesme, dyshohet se i dyshuari B.Z., ka privuar nga jeta tani të nderin I.C.
Dyshohet që për shkak të një mosmarrëveshje i dyshuari B.Z., me mjet të mprehtë – thikë, i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse të ndjerit I.C., ndërsa motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen.
Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit është arrestuar dhe ndaj tij është lëshuar vendim mbi ndalim për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes./Botapress/