Hotel ‘Rogner’ në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë është kthyer mbrëmjen e djeshme në një skenë krimi.
Ajdin Mustafi 28-vjeç humbi jetën pasi ra nga kati i pestë. Report Tv ka siguruar foton e të riut, shqiptar i Kosovës, vdekja e të cilit është e mbuluar me mister.
Ajo çfarë u raportua ishte se 28-vjeçari ka qenë i mbështetur në dritare dhe janë këputur hekurat e ballkonit, e për pasojë ka rënë nga kati i pestë.
Qytetarët e tjerë që kanë qenë duke pushuar në këtë hotel kanë parë skena tmerri, të ngjashme me ato të filmave, pasi trupi i të riut u gjet në dysheme, në pjesën e anësore të oborrit, me pamje nga Bulevardi. Pranë trupit të tij është gjetur dhe zgara mbrojtëse të ballkonit.
Kur kanë kaluar vetëm pak orë nga kjo vdekje, gjurmët e saj ngjarjeje janë ende të freskëta. Ballkoni i dhomës ku po qëndronte 28-vjeçari nuk i ka kangjellat e vendosura, krahasuar me dhomat e tjera.
I riu ishte shqiptar i Kosovës dhe kishte dy ditë që kishte ardhur në Shqipëri nga Zvicra. Ai kishte edhe shtetësi shqiptare dhe zvicerane.