Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se është duke vazhduar avancimi i shkathtësive profesionale të specialistëve të kërkim-shpëtimit malor të FSK-së në Qendrën e Alpinizmit Ushtarak në Itali.
“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes me Italinë, specialistët tanë nga Togu i Kërkim-Shpëtimit Malor të Gardës Kombëtare të FSK-së, kanë kryer me sukses trajnimin e kërkim-shpëtimit malor në qendrën e alpinizmit ushtarak në Centro Addestramento Alpino në Aosta të Italisë”.
“Gjatë trajnimit, specialistët tanë kanë avancuar shkathtësitë e tyre për qasje tek viktimat në faqe shkëmbore, dhënie të ndihmës së parë, evakuim të viktimave, lëvizje në akullnaja, qasjen në viktimat brenda qarjeve të thella dhe tërheqjen e tyre në vend të sigurt, kërkim në pyje dhe zona malore, si dhe kërkim në ortek duke përdorur pajisje dhe teknika të avancuara”.
“Njësitet tona të kërkim-shpëtimit janë shembull i shkëlqyeshëm i profesionalizmit dhe shërbimit vetëmohues në operacionet e shpëtimit përballë të gjitha sfidave që cenojnë sigurinë e qytetarëve të vendit pa dallim”,ka shkruar Mehaj në rrjetin social Facebook.