Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, e cila ka qenë viktimë e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë është shprehur shumë e lumtur pasi i akuzuari për kryerjen e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Zoran Vukotiq u dënua sot me 10 vjet burgim.
Derisa ka kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, e pyetur se nëse do të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës kur do të diskutohet me Serbinë, ajo ka thënë se për këtë nuk ka diskutuar me kryeministrin Kurti e me askënd nga partia e saj.
Megjithatë, ajo është shprehur se është e gatshme që t’i del përpara presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kujtdo nga ky shtet.
“Në lidhje me këtë çështje nuk kam pasur muhabet me Albin Kurtin dhe askund nga partia. Shpresoj që tema e viktimave të të dhunës seksuale të zgjidhet në tavolinë. Unë e kam forcën dhe vullnetit të ju dal përpara të gjithëve dhe të ju tregoj të gjithëve se çfarë ka ndodhur me mua dhe të gjitha viktimat e dhunës, se kam breng se a mundem me u ballafaquar me Serbinë, kushdo që janë ata”, ka shtuar ajo.
Përndryshe, Krasniqi është shprehur se edhe pse për rastin e saj nuk ka pasur drejtësi, me dënimin e Zoran Vukotiq ajo po ndihet sikur të jenë dënuar kryesit e veprës ndaj saj.
“Po ndihna si të ishin dënuar kryesit e veprës time. Është një ditë shumë e veçantë për të gjitha viktimat e dhunës. Pas sa viteve po dëgjohet një lajm që po dënohet një kriminel që ka kryer krime të tilla. 10 vite nuk janë të mjaftueshme, por është fillimi dhe shpresoj që raste tjera të dënohet edhe më gjatë Rastin tim e dinë gjithë Kosova por për mua kjo ditë është shumë e veçantë, shumë e gëzuar”, ka thënë ajo.
Tutje Krasniqi është shprehur se edhe pse kanë kaluar shumë vite nga lufta e fundit në Kosovë, viktimat mund të dëshmojnë për kryesit e krimeve të dhunës seksuale.
Ajo i ka inkurajuar të gjithë viktimat e dhunës seksuale që të kërkojnë drejtësi e të mos heqin dorë.