Lëvizja Vetëvendosje doli të jetë partia me më së paku komuna të fituara në kuadër të Zgjedhjeve Lokale 2021.
Pavarësisht se shpresat ishin në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve, e ku Vetëvendosje pretendonte të arrinte fitore në komuna shumë të mëdha, kjo gjë nuk ndodhi.
Madje Lëvizja Vetëvendosje nuk fitoi as në Prishtinë, Gjakovë e Prizren kandidatëve të cilëve lideri i tyre, si dhe kryeministri i vendit Albin Kurti i thurte vargje.
Kurti nuk hezitoi të thotë se në duart e Mytaher Haskukës, Prizreni fisnikërohet edhe më shumë.
“Ai punon pa u ndalur dhe me finesa të mëdha, sikurse një artizan gjatë punimit të një filigrani. Prizreni vetëm këtë lloj kujdesi e pranon. Për katër vite, shumë punë të mira ka bërë e shumë të tjera mbesin për t’u përkryer”, shkroi ai.
Duke mos u mjaftuar me kaq, Kurti vazhdoi të thurr lavde edhe për Mimoza Kusari-Lilën, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Gjakovës.
E sipas tij një energji si e Mimoza Kusari Lilës i duhet Gjakovës për t’u gjallëruar.
“Mimoza do t’i mungojë Grupit tonë Parlamentar si drejtuese, por nuk ka deputet të VETËVENDOSJE!-s që nuk mendon se Gjakova është shumë e rëndësishme dhe duhet lënë në duar të sigurta e mendje kreative.Me Mimozën, Gjakova nuk mbetet histori, por ardhmëri”, shkroi Kurti.
E padyshim se fjalët më të mira lideri i VV-së i ruajti vazhdimisht për kandidatin e VV-së, Arben Vitia apo siç iu drejtua Kurti vazhdimisht “Beni”.
Kryeministri Kurti e quajti Arben Vitinë gojëmbël e të pakompromis në punë.Duke vazhduar tutje ai tha se Vitia është njeri i urtë, i pathyeshëm dhe i palodhshëm.
“Gojëëmbël me qytetarët dhe i pakompromis në punë. Tamam si mjek i mirë që sillet me dashamirësi me pacientët dhe është i saktë me terapinë. Beni është më i urti si shok dhe më i ashpri në punë. I pathyeshëm dhe i palodhshëm. I fuqishëm pa u dukur i fortë. Prandaj ka pasur sukses në çdo angazhim të tijin publik”, tha Kurti.
E duke folur në nivel të përgjithshëm të zgjedhjeve, Kurti ditë më parë tha se është koha që t’i bëjmë zgjedhjet e duhura, e të vendosim për qytete të jetueshme, plane të zbatueshme e projekte të dobishme për qytetarët.
“Niveli komunal e ka maskuar keqpërdorimin nën petkun e asaj që korrupsioni ndodh më shumë lart, atje larg në institucione qendrore.”, shtoi ai.
Por duhet përkujtuar që Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë katër komuna: Gjilanin, Podujevën, Shtimen dhe Kamenicën.
Por Kurti humbi drejtimin e Prizrenit me Mytaher Haskukën dhe atë të Mitrovicës me Agim Bahtirin.
Se si do të drejtojë VV këto komuna, mbetet të shihet përgjatë mandatit 4 vjeçar.