[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Urimet e Washingtonit për Kosovën dhe Serbinë – të dyja vendeve u kërkohen raporte të mira fqinjësore



Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson gjatë ditës së djeshme ka uruar Kosovën për nëntë vjetorin e Pavarësisë, derisa një ditë më herët, më 13 shkurt ka uruar Serbinë për Ditën e Shtetësisë.
Të dyja urimet nisin me frymën e njejtë, ku Tillerson në emër të presidentit amerikan, Donald Trump si edhe qytetarëve amerikanë uron popullin kosovar, ashtu si edhe atë serb për festat përkatëse të të dyja vendeve.

E duket se edhe zgjedhja e datave nuk ishte krejt e njejtë, në kuptimin se urimi për Kosovën që ditën e Pavarësisë feston më 17 shkurt erdhi tri ditë më herët, më saktësisht më 14 shkurt derisa për Serbinë që Ditën e Shtetësisë e ka më 15 shkurt, urimi erdhi vetëm dy ditë më herët.

Në paragrafin e dytë, Tillerson tek letra për Kosovën vlerëson lart miqësinë mes të dyja vendeve, ashtu si edhe aspiratat për paqe, stabilitet dhe prosperitet, transmeton Klan Kosova.

Edhe me Serbinë, Tillerson ka pothuajse të njejtat vlerësime, shpreh vlerësim për bashkëpunimin dhe miqësinë e deritanishme ashtu si edhe dëshirën për bashkëpunim në të ardhmen.

Ajo çfarë e bën dallimin mes të dyja letrave është se Sekretari Amerikan i Shtetit përmes letrës së tij vlerëson progresin e Kosovës në zhvillimin e demokracisë dhe institucionet me përfshirje multietnike.

Por nuk e lë pa vënë në pah disa nga arritjet më të mëdha të Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas.

“SHBA vlerëson marrëdhëniet e forta me Kosovën bazuar në aspiratat e përbashkëta për stabilitet, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë. Ne e përshëndesim progresin që populli i Kosovës e ka arritur në zhvillimin e institucioneve demokratike e shumë etnike përgjatë nëntë viteve të tyre të pavarësisë. Në vitin 2016, SHBA ishte e lumtur që pa se Kosova fitoi Medaljen e parë Olimpike dhe Kombëtarja e Kosovës zhvilloi ndeshjen e parë në FIFA”, thuhet në këtë adresim për kosovarët.

Derisa për Kosovën përmendet Medalja e Parë Olimpike dhe pranimi në FIFA, adresimi për Serbinë duke pasur në fokus arritjet gjatë vitit 2016 është disa paragrafe më i shkurtër, e kryesisht flet për ekonominë, transmeton Klan Kosova.

“Përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të promovuar reformat ekonomike, për të forcuar sundimin e ligji, për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët janë treguesë për dedikim ndaj stabiliteti dhe rritjes ekonomike në rajon”.

SHBA mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën që të ketë sukses dhe do të vazhdojmë të punojmë me liderët dhe popullin e saj në ndjekje të paqes dhe prosperitetit.

Ajo çka poashtu e bën dallimin është edhe se Tillerson shpreh pritjet që Amerika ka kundrejt Kosovës, në kuptimin e sukseseve të reja për vendin që tashmë mbush nëntë vjet shtetësi.

“Po presim suksese të tjera të vazhdueshme të Kosovës teksa po forcon ligjet, po lufton dhunën ekstreme, dhe po ndërton marrëdhënie pozitive me fqinjët dhe gjithë botën”.

Ndërsa ashtu si fillimi i këtyre letrave që është pothuajse i frymës së njejtë, edhe fundi është po ashtu.

SHBA shprehë përkushtim për të ndihmuar Kosovën që të ketë sukses, derisa Serbisë i shprehë poashtu përkushtim për të thelluar miqësinë.

Ajo që bie më së shumti në sy, në këto dy letra drejtuar dy vendeve fqinje, Serbisë dhe Kosovës, është se përmenden përpjekjet për raporte të mira fqinjësore ashtu si edhe normalizim të marrëdhënieve mes vendeve në Ballkan por integrimi në BE nuk përmendet fare, në asnjërën nga letrat.