Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi, ka akuzuar palën serbe për keqpërdorim të takimeve në Bruksel.
Bislimi ka thënë në një prononcim për media se takimi ka përfunduar pa sukses dhe se nuk është arritur marrëveshje për targat.
“Fatkeqësisht, pamë sjellje të çuditshme të palës serbe. Udhëtimi ishte krejtësisht i padobishëm sepse ata padyshim erdhën në Bruksel të krijojnë lajme në media ashtu siç duan të flasin, por pa asnjë ide, propozim apo zgjidhje”, deklaroi numri dy i Qeverisë.
Më tej, Bislimi sikurse Lajçaku, tha se janë afër zgjidhjes për energjinë, por se pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për konfirmimin përfundimtar.
Ai tha se Serbia tentoi ta fuste në rend dite çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përgjatë takimit në Bruksel.