Sot gjatë ditës ka qarkulluar lajmi se MBPZHR’ja ka propozuar uljen e subvencioneve, teksa e gjithë kjo për bazë kishte një reagim të shoqatës së vreshtarëve, “Vreshtari”.Por tani, ka reaguar edhe MBPZHR’ja, e cila ka mohuar një vendim të tillë, duke shtuar se në Ministrinë e Bujqësisë, janë themeluar grupet punuese përkatëse të cilat janë në proces të diskutimeve publike për hartimin e programeve për vitin 2021 në të cilat përfshihen edhe akterë nga shoqëritë civile, konkretisht përfaqësues nga shoqatat e fermerëve.
Më poshtë edhe komunikata e plotë e para pak çasteve.
Reagim ndaj artikullit: “Ministria e Bujqësisë ul subvencionet për vreshta nga 1000 euro në 400”
Sot pasdite në media qarkulloi një lajm i cili bazohet në një reagim të lëshuar gjatë ditës nga Shoqata e Vreshtarëve “Vreshtari” me seli në Rahovec.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me këtë rast njofton të gjithë fermerët e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë vreshtarët se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë reagim/lajm dhe se MBPZhR deri më tani nuk ka marrë kurrfarë vendimi për uljen ose ngritjen e kësaj kategorie apo të çdo kategorie tjetër të mbështetjes përmes Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve.Kërkojmë nga opinioni publik që mos të bien pre e lajmeve dhe reagimeve të tilla, por të përcjellin vetëm informatat zyrtare të cilat i plason në publik institucioni ynë, konkretisht Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për të cilat do të njoftoheni me kohë përmes komunikimit zyrtar.
Për hir të korrektësisë ju njoftojmë gjithashtu se në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë themeluar grupet punuese përkatëse të cilat janë në proces të diskutimeve publike për hartimin e programeve për vitin 2021 në të cilat përfshihen edhe akterë nga shoqëritë civile, konkretisht përfaqësues nga shoqatat e fermerëve.