Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me sqarim për konkursin, ku u raportua për punësim masiv të militantëve të Vetëvendosjes.
Në sqarimin e dërguar mediave, KEK thotë se është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.
Thuhet se të gjitha ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit.
“Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit. Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thuhet në sqarim.
Sipas kësaj ndërmarrje, konkursi ka qenë për plotësimin e 150 pozitave të lira, për të cilat kishin aplikur 4 mijë e 668 kandidatë. Për 128 pozita janë publikuar rezultatet e përzgjedhjes, derisa për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për “5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt”.
Ndryshe, punësimet e reja në ndërmarrje publike historikisht janë komentuar për lidhjet e mundshme me pushtetarët. Në atë rrugë shkon edhe një konkurs i KEK-ut, në të cilin ka dalë i pari nipi i një deputeti dhe kandidati për kryetar komune nga LVV-ja.
Valon Gashi është i pari në listën e të pranuarve për pozitën “teknik i makinerisë”, në Korporatën Energjetike të Kosovës. Gazeta mëson se ai është nipi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, i cili ishte edhe kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës së Obiliqit.
Gazeta ka provuar të marrë një prononcim nga deputeti i VV-së rreth punësimit të tij dhe ka pyetur në KEK për konkursin, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Punësimet dhe emërimet në KEK e komentuara për lidhje me pushtetin nuk kanë nisur me nipin e Thaçit.
Të hënën, Portali “Paparaci” ka raportuar se nga ky konkurs janë punësuar shumë militantë, njerëz të afërt me partinë në pushtet dhe familjarë të zyrtarëve të lartë të KEK-ut.
“Punësimet familjare e partiake në konkursin e fundit në KEK, kanë lënë në hije të gjitha punësimet me shkelje ligjore në 20 vitet e fundit. Anëtarët e Komisionit vlerësues kanë pranuar në punë djem dhe vëllezër të tyre. Rasti më i rëndë është ai i punësimit të djalit të zyrtarit kryesor të Auditimit, Ismet Vrapçani” shkruan Paparaci.
“Pos militantëve të punësuar, përfitues të mëdhenj janë familjarë të anëtarëve të komisionit intervistues të punësimit. Në këtë konkurs në të cilin janë pranuar 128 persona, shumica janë familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe militantë të partisë në pushtet. Në konkurs kanë aplikuar plot 4668 persona” shkruan tutje ky portal.
Ndërsa më herët, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, erdhi në këtë pozitë, pasi më parë ushtroi detyrën e drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.
Krasniqi, i cili e mori pozitën e drejtuesit të KEK-ut në tetor të vitit të kaluar, u akuzua se u vendos në këtë pozitë nga bordi i përkohshëm që asokohe ishte emëruar nga Qeveria Kurti. /Express/