Qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike në mënyrë të vazhdueshme, gjatë ditëve të fundit. Ndalja e rrymës në disa vende është raportuar të ketë qenë për disa minuta ose një deri në dy orë, e në disa zona tjera të Kosovës, qytetarët kanë mbetur pa energji elektrike me dhjetëra orë, raporton Gazeta Sinjali.
E mungesa e rrymës gjatë dimrit, konsiderohet si problem dyfish më i madh, pasi një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ngrohen përmes energjisë elektrike.
Ankesa të shumta kanë ardhur në lidhje me këtë çështje në redaksinë e Sinjalit dhe jo vetëm, ku qytetarët kanë reaguar vazhdimisht, duke e ngritur zërin mbi shqetësimin e tyre për reduktimet e rrymës.
Gazeta Sinjali i ka pyetur qytetarët se sa janë të kënaqur me furnizimin me rrymë nga KEDS-i, pyetje të cilës i janë përgjigjur mijëra komentues në profilin zyrtar të Sinjalit në Facebook.
Numri më i madh i komentuesve janë shprehur të pakënaqur me furnizimin me energji elektrike, duke i shprehur ankesat e tyre, dikush në formë më të qetë, e disa edhe në formë vulgare.
Disa qytetarë, mungesën e rrymës e kanë cilësuar si dështim të Qeverisë Kurti.
“Deshtim i Albin Kurtit në tana sektoret, mjerë për këtë popull kujt i dhanë votën, dikur edhe pse nga lufta e shkatërruar pas 10 viteve nuk kishte reduktime kurrë, ndërsa tash në një mandat 4-vjeçar i riktheu reduktimet e shkatërroi gjithçka që është arritur”, ka shkruar një komentues.
“Dështim i Qeverisë, dështim i KEDS-it se ju bashkë jeni të deëhtum”, thuhet në një koment tjetër.
E një tjetër qytetar, furnizimin e pamjaftueshëm me energji elektrike e ka konsideruar si “turp”, sidomos nëse kjo gjë bie në veshin e liderëve të BE-së.
“Marre është me ni Evropa që hala ndalet rryma në Kosovë”, ka shkruar ai.
E disa komentues kanë treguar edhe detaje nga koha kur kanë reduktime të rrymës.
“Valla katastrof zona e Rekës së Keqe pothuajse çdo ditë është pa rrymë prej orës 09 deri në ora 17-18”, shkruhet në një koment.
“10 minuta me rrymë, 5 orë pa rrymë marre ju qoftë”, ka thënë një qytetar tjetër.
Ndërkaq, në disa komente tjera thekoshet se po kthehemi në kohën e luftës, kur reduktimet e rrymës ishin thuajse të zakonshme dhe qytetarët detyroheshin t’i përdornin agregatët.
“Marre iu qoftë, apet si 1999 edhe u kthy apet koha e agregatave”, shkruhet në një koment.
“Turp iu qoftë, sikur të ishim në vitin 1999- 2000”, ka thënë një tjetër komentues.
“Me këtë KESCO veç Martin Berisha edhe shokët e ti janë të knaqur, na kanë kthy mbrapa 20-vjet me agregat… turpi i turpit”
“Për momentin me KEDS-in janë t’knaqun veç mjeshtrit e agregatave kërkush tjetër”, thuhet në nje koment tjetër.
Një komentues tjetër, ka konsideruar se reduktimet e rrymës shtohen në stinën e dimrit.
“Turpi i botës. Sa herë vjen dimri, vjen terri”, shkruhet në koment.
E një person tjetër ka zgjedhur që pakënaqësinë e tij ta tregojë përmes ironisë.
“Qaq shumë jam i kënaqur për sherbimet e KEDS saqë këtë moment sa jam tu e shkru komentin s’kemi rrymë…”, ka shkruar ai.
“Unë hiç 0”, ka shkruar shkurt një komentues.
E të shumta ishin komentet ku thuhej se furnizimi me energji elektrike asnjëherë nuk ka qenë më keq se tash.
“Kurrë nuk ka qenë më keq se tani”, shkruhet në njërin prej komenteve të lartpërmendura.
Megjithatë, nuk kanë munguar as komentet e qytetarëve që kanë konsideruar se furnizimi me energji elektrike është në nivel, duke u shprehur kështu të kënaqur me punën e KEDS-it.
“Për me e vlerësu furnizimin me energji duhet me e krahasu me kohën para 1 viti, 5 vite, 10 vite, 25 vite… dhe kurrë ma mirë nuk ka qenë!… dhe përditë do të jetë edhe ma mire”, shkruhet në një koment.
“Shumë, bile ju uroj shumë suksese”, ka shkruar një qytetar.
“Shumë të kënaqur”, thuhet në një koment tjetër.
“Nuk është edhe keq”, thotë një tjetër person.
“Shumë”, është përgjigjur shkurt një qytetar.
“Për momentin shumë të kënaqur”, ka shkruar një person tjetër.
Këtu mund t’i lexoni të gjitha komentet e qytetarëve: