Ndonëse kontrata e nënshkruar kapte vlerën e 468 mijë e 522 eurove, komplet projekti për ndërtimin e Urës mbi Liqenin e Badovcit, Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i kushtoj 514 mijë e 806 euro.
Edhe pse punimet ishin në fazën fillestare, Ministria e Infrastrukturës, kishte nënshkruar aneks-kontratë për punë shtesë.
Sipas paramasës në të cilën pati qasje Kallxo.com, për pozicionin – “Punët e Dheut”, që parashihte mbushjen e shtratit të liqenit me material që mundësonte vendosjen e skeleve për të punuar pastaj, u shpenzuan 19 mijë e 440 euro.
Ndërkohë, për pozicionin- “Punët Armaturës – Hekurit” sipas aneks-kontratës Ministria e Infrastrukturës shpenzoi 13 mijë e 783 euro.
Përveç këtyre pozicioneve, ishin paraparë edhe punë të tjera.
Në aneks ishin paraparë: testimi i urës dhe vendosja e mureve mbrojtëse. Pra këto dy punë nuk ishin paraparë me kontratën bazë.
Zëvendësministri i Infrastrukturës tha se punët shtesë kanë rrjedhur si pasojë e ri-formatimit të projektit, megjithatë për detaje na udhëzoi të dërgojmë pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Çështja kryesore është se aty është bo edhe riformatim dhe ndryshim i projektit sepse ka qenë projekti me shtylla në mes të liqenit dhe është riprojektu me shtylla të pjerrëta anësore. Krejt kjo i ka sjellë këto ndryshime dhe ka pas riprojektim dhe aneks-kontratë”- tha për KALLXO.com.
Kallxo.com i adresoi pyetjet në Ministrinë e Infrastrukturës, por deri në publikimin e lajmit, nuk mori përgjigje, pavarësisht premtimit të zëvendësministrit Durmishi.
Nga kompania Dreni Inginering SH.P.K., thanë se riprojektimi i urës ishte i pashmangshëm meqë projekti i mëparshëm ishte i pamundur të realizohej.
“Ministria e ka vendosur ashtu. Nuk ka qenë e mundur me u kry projekti ashtu sepse i ka pasur dy shtylla në ujë”- thonë nga kompania.
“Jo, projekti ka qenë i hartuar mirë, por kanë ndryshuar kushtet në liqe. Niveli i ujit ka qenë maksimal”- tha ai kur u pyet nëse ka pasur gabime në hartimin e projektit.
Sidoqoftë, ndërtimi i urës kishte përfunduar 355 ditë, pas nënshkrimit të kontratës dhe 20 muaj pasi që ishte mbyllur për qarkullimin e veturave.
Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar rrugën ndihmëse, që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e urës. Ndërsa, në tetor të vitit 2023, kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urës së re. Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” ishte nënshkruar më 10.01.2024. Vlera e Kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishe 468 mijë e 522 euro.