Trupi gjykues refuzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit lidhur me nëntë dëshmitarët diplomatë

Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS

Edhe trupi gjykues i kryesuar nga Charles L. Smith II, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçit, lidhur me nëntë dëshmitarët diplomatë, të mbrojtjes.

Mbrojtja kishte kërkuar të ruajë provat e nëntë dëshmitarëve, për të garantuar të drejtën e Thaҫit për të siguruar pjesëmarrjen dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve në emër të tij, në të njëjtat kushte si dëshmitarët kundër tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për ta bërë këtë, mbrojtja i kërkon Panelit që të ndryshojë rendin e zakonshëm të provave, siç parashikohet në rregullën 127, në mënyrë që të dëgjojë dëshmitë e dëshmitarëve përpara fillimit të çështjes së ZPS-së, në vend pas përfundimit të saj. Në alternativë, mbrojtja fton Panelin që të sigurojë dëshmitë e dëshmitarëve duke vëzhguar marrjen e depozitave sipas Rregullës 100”, thuhet në vendim të gjykatës.

Mbrojtja kishte pohuar se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara e autorizon Panelin të miratojë një kërkesë për ruajtjen e provave përmes depozitimeve nëse ka arsye për të besuar se provat e një dëshmitari të mundshëm mund të bëhen të padisponueshme.

“Mbrojtja pohon se dëshmitarët do të ofrojnë disa nga provat më të rëndësishme që DhSK-ja do të dëgjojë në këtë rast, ndër të tjera, për shkak të: (i) pozitës dhe roleve të tyre në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës; (ii) përparësi unike dhe përfshirje me individë kyç gjatë asaj kohe; (iii) ndërveprimet me z. Thaҫi në nivel profesional dhe, në disa raste, personal; dhe (iv) aftësia për të dëshmuar për çështje thelbësore për rastin”, thuhet tutje.

Sipas vendimit, mbrojtja pohon se mocioni është i justifikuar në dritën e dy faktorëve: mosha e shtyrë e dëshmitarëve dhe koha e parashikuar kur mbrojtja ka të ngjarë të fillojë çështjen në dritën e parashikimeve aktuale, domethënë në fund të vitit 2025 ose në fillim të vitit 2026.

Tutje, në vendim thuhet se në kohën kur fillon çështja e mbrojtjes, ekziston një rrezik shumë real që dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët më pas do të jenë në të ‘80-at, mund të mos jenë më të disponueshme për shkak të vdekjes ose paaftësisë.

“Sa i përket procedurës së ndihmës parësore, mbrojtja kërkon që dëshmitarët të dëgjohen në sallën e gjyqit të DhSK në mars 2023, por për një që është i disponueshëm vetëm që nga prilli 2023. Sa i përket ndihmës alternative, ajo kërkon që depozitimet të kryhen në seancë të hapur në sallën e gjyqit të DhSK, nëse dëshmitarët janë mjaft mirë për të udhëtuar në shkurt 2023, me përjashtim të një dëshmitari të disponueshëm në prill 2023”, thuhet tutje.

Lidhur me këtë mocion, Prokuroria kishte kërkuar që i njëjti të refuzohet nga ana e trupit gjykues.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

ngjashme