Ngacmuesi i gazetares Greta Beccaglia pas Empoli-Fiorentina u identifikua dje falë kamerave përreth stadiumit. Bëhet fjalë për Andrea Serrani, 45 vjeç, nga Chiaravalle, punëtor në sektorin e hotelierisë. Ai foli në programin e “Radio 24”, të titulluar “La Zanzara”:
“Më përshkruajnë si përdhunues, por nuk jam i tillë. Nuk ndihem aspak mirë për atë që kam bërë. Në shtëpi më pyetën: Si të shkoi në mendje? Ishte habitur edhe partnerja ime. Ata e dinë që nuk jam njeri i keq. Tani po kalojmë të gjitha problemet e mundshme në botë. Avokati im po kërkon mbrojtësin e gazetares, dua t’i kërkoj falje zyrtare”.
Ndërkohë, ndaj tij është bërë kallëzim dhe prokuroria e Firences ka hapur dosjen për zbardhjen e kësaj çështjeje. Edhe për akuzën e pështyrjes para ngacmimit:
Serrani, veç akuzës për ngacmim dhe dhunë seksuale, ka tashmë një dënim për të vuajtur: komisari i policisë së Firences, në fakt, ia ka ndaluar të shkojë në stadium për tri vite. Dispozita ndaluese vlen nga dita e sotme, kur do të luhet Fiorentina-Sampdoria, ndeshje në të cilën Greta Beccaglia do të marrë pjesë në tribunë, pas ftesës së presidentit Commisso dhe klubit vjollcë.
“Ngacmuesi paska kërkuar falje? As që e kam lexuar, – tha Beccaglia, – por nuk i pranoj. Unë vazhdoj betejën time edhe për të gjitha vajzat që vuajnë çdo ditë me kamerat e fikura. Ankesa ime dënon gjestin e tij, por edhe të shumë njerëzve të tjerë që ishin të pranishëm atje”.