Fjala tradhti është e rëndë, shumë e rëndë. Por, ky artikull nuk është tamam për tradhtinë e vitit. Ashtu siç mund ta kenë vërejtur lexuesit më të vëmendshëm në titull, kemi të bëjmë ‘tradhtinë’ e vitit. Pra, tradhtinë në thonjëza. Atëherë, ‘tradhtia’ e vitit është ajo e Atdhe Hykollit ndaj Rrahman Jasharajt.
U quajt akt-tradhti nga zëdhënësi i Vetëvendosjes për vendimin e një gjykatësi e një prokurori që çoi në shtensionimin e situatës në veri dhe në heqjen e barrikadave nga serbët. Janë quajtur tradhti edhe disa veprime të kryeministrit Kurti në Bruksel, siç ishte marrëveshja për letërnjoftimet e më pas për targat e paraprakisht për energjinë me Serbinë. Tradhtia sërish ka qenë pjesë e rëndësishme e diskursit publik. Por, duket se askush nuk meriton më shumë se Atdhe Hykolli titullin e ‘tradhtarit’ në thonjëza.
Atdhe Hykolli është një profesor universitar që prej 2 tetorit të vitit 2021 kryen edhe detyrën e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), organizatës më të madhe sindikale në Kosovë që në vitet ’90 pati rol të madh edhe kundër regjimit jugosllav. Shyqyr që në atë vakt s’ishte Hykolli por Hajrullah Gorani!
Kur Kurti e dha lajmin se Hykolli në emër të BSPK-së kishte mirëpritur Ligjin e Pagave më 23 dhjetor, sindikalistët tjerë kishin mbetur të tronditur. Përveç që i thanë se i tradhtoi interesat e punëtorëve, ata edhe i kërkuan dorëheqjen. Por, për këtë episod të ‘tradhtisë’ në fund… fare në fund.
Në pozicionin aktual Hykolli erdhi duke qenë vartës i Rrahman Jasharajt, kryetarit të SBAShK-ut. Por, dhembshuria e tij si punëtor i arsimit për punëtorët e tjerë të arsimit nuk mund të ishte asnjëherë e çiltër.
Ai punonte në Universitet të Prishtinës. Mes kolegësh që merrnin deri në tre mijë euro në muaj. Që merrte vet po ato të ardhura. Dhe larg, shumë larg shkollave fillore e të mesme ku rrogat janë mosvet të vogla e kushtet e punës shumë të këqija.
Në Sindikatë, ai si një profesor me pagë të majme i rrinte poshtë si vartës Rrahman Jasharajt që si punëtor i arsimit kishte marrë vetëm rroga mjerane. Do t’i rrinte deri kur… erdhi ‘dita’.
Kurti te Hykolli
Se do të kishte përplasje mes Albin Kurtit dhe sindikatave dihej nga secili. Fundja, sindikatat ishin përplasur – me shumë të drejtë – me secilin prej kryeministrave të mëparshëm. Veçanërisht ajo e punëtorëve të arsimit ku bënte pjesë edhe Hykolli.
Më 2 tetor 2021, Kurti do të merrte pjesë në mbledhjen e BSPK-së ku u zgjodh kryetar Hykolli
Takimet e të dyve prej asaj dite ishin të shumta, shumë prej të cilave do të bëheshin edhe publike. Por, në mes kishte shumë e shumë ‘barrikada’. Mungonte dialogu social. Nuk kishte Ligj të Pagave. Nuk kishte përfshirje të punëtorëve në draftimin e Ligjit të Pagave, i shumëpritur nga punëtorët. Dhe, protestat ishin të pashmangshme.
Por, diçka krejt tjetër do të ndodhte.
Në muajin gusht, BSPK-ja do të shpallte Grevën e Përgjithshme. Atdhe Hykolli do të ishte (ose do të dukej se ishte) në krye të detyrës. I ndodhur krah Rrahman Jasharajt – si njëherë e një kohë – Hykolli si kryetar i BSPK-së më datën 25 të atij muaji shpalli Grevën e Përgjithshme.
“Kurtit i doli kundër edhe sindikalisti i preferuar,” – do të shkruante në atë kohë gazeta Nacionale. Ai ishte vënë në shënjestër të sulmeve e linçimeve nga ana e kryeministrit Kurti dhe aktivistëve e simpatizantëve të tij. Por, sërish ka një por.
Hykolli pa ‘therë në këmbë’
Greva e shpallur nga BSPK-ja që drejtohej nga Atdhe Hykolli kishte zgjatur pesë javë. Por, çuditërisht ai do të shpëtonte ‘pa therë në këmbë’. Të gjitha sulmet e linçimet u bënë ndaj Rrahman Jasharajt, Ymer Ymerit dhe sindikalistëve tjerë. Madje, ndaj Jasharajt do të përdorej edhe bullizimi nga vetë kryeministri. U përdorën edhe lajmet e rreme. Por… asgjë ndaj Hykollit.
Që ta ilustrojmë: imagjinoni sikur për një vendim të kryeministrit Kurti, LDK-ja të mos e sulmojë fare kryeministrin Kurti por zëvendësin e tij Besnik Bislimin?! Eh, dihej që atëherë se këtu kishte diçka.
Çka kishte aty?
Sipas Sindikatës së Shërbimit Civil, kishte “takime fshehurazi” mes tij dhe kryeministrit Kurti.
“Një veprim i tij i dyshimtë është vërejtur edhe gjatë kohës sa ishin duke u mbajtur grevat e BSPK-së e që zgjatën rreth pesë javë derisa z. Hykolli, takohej me Qeverinë fshehurazi dhe pa dhënë sqarime se çka u bisedua në ato takime. Po të ishte dinjitoz në detyrën e tij, ai nuk do të duhej takuar me kryeministrin Kurti pa qenë prezentë edhe dikush nga kryesia dhe pa pranuar z. Kurti që t’i takojë edhe sindikalistët tjerë, por ja që u pa se ai ka shitur interesin e punëtorëve,” – thuhet më tej.” – thuhej mes tjerash në këtë komunikatë.
Nacionale kishte provuar prej javës së kaluar ta kontaktonte z. Hykolli por ai nuk kishte qenë i qasshëm. Por, i qasshëm për punëtorët duket se nuk do të jetë as sindikalizmi për mbrojtjen e të drejtave të tyre. I qasshëm do të jetë për kryeministrin Kurti.
Duhet të kujtojmë se LDK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Zyrtarë Publikë.