[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Thaçi për gazetën gjermane: Kosova s’e lejon realizimin e skenarëve të Serbisë, ata duan luftë



Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën më të lexuar në Gjermani “BILD Zeitung”, duke iu referuar acarimit të situatës së fundit me Serbinë, ka thënë se koha e dominimeve në Ballkan ka përfunduar

Ai ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do të lejoj realizimin e skenarëve të Serbisë, të cilët në të gjitha mënyrat po kërkojnë destabilizonim e vendit.

“Treni ilegal propagandues është vetëm një pretekst i Serbisë për të destabilizuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Këto dhe provokimet e radhës të Serbisë janë pjesë e një skenari të vjetër të Serbisë për të ndarë një pjesë të Kosovës”, ka theksuar Thaçi, transmeton “Zeri.info”.

Sipas tij, qëllimi i Serbisë është që të përdor këtë tren të dhuruar nga Rusia, për të ndarë pjesën veriore të Kosovës dhe për t’ia bashkangjitur Serbisë.

“Pra një lloj modeli i Krimesh. Por, kjo kurrë nuk do të ndodh”, ka paralajmëruar ai.

I pyetur nëse ka informacioni që dëshmojnë se Sebia synon ndarjen e Kosovës, Thaçi ka thënë se Serbia, përkundër marrëveshjes në Bruksel, është duke mbështetur politikisht dhe financiarisht strukturar ilegale dhe paralele në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se Qeveria në Beograd vazhdon të kërcënoj serbet e Kosovës për mos tu integruar në institucionet tona. Derisa, ka shtuar se përmes mediave të kontrolluara, shteti serb vazhdon propagandën kundër shtetit të Kosovës dhe promovon ndarje të saj.

“Elitat politike në Beograd çdo ditë flasin për ndarje. Madje, vet në Kushtetutën e Serbisë thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë”, ka shtuar ai.

Thaçi është pyetur nga BILD edhe për trenin provokativ serb.

Ai ka thënë se Kosova mbësht lirinë e lëvizjes së qytetarëve, mirëpo, Kosova dhe Serbia edhe më tutje nuk kanë asnjë marrëveshje ndërshtetërorë për transportin hekurodhor.

“Prandaj, çdo tren që hynë në territorin e Kosovës është ilegal. Mbishkrimet „Kosova është Serbi“ nuk janë vetëm një slogan, por qëndrim zyrtar i Serbisë, të cilin atë ditë ishte duke bartur treni propagandues. Ai tren nuk i shërben serbëve të Kosovës, por ishte në shërbim të politikanëve në Beograd, për të ringjallur një ide tashmë të vdekur, siç është ndarja e Kosovës”, ka shtuar ai.

Thaçi ka theksuar se serbet e Kosovës gëzojnë të drejta të avancuara, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kërcënimi i vetëm për sigurinë e serbeve të Kosovë sipas tij është keqpërdorimi i tyre nga ana e Serbisë për realizimin e skenarit për destabilizimin e Kosovës.

“Siç ka qenë në të kaluarën, fatkeqësisht edhe sot, Serbia është e gatshme t’i sakrifikoj komunitetin serb në Kosovë. Por, këtë nuk do ta lejojmë të ndodh”, ka thënë ai.

Pavarësisht gjendjes së acaruar, në këtë Intervistë për BILD Zeitung, Thaçi ka ftuar Serbinë për dialog, paqe dhe bashkëpunim.

“Nëse Serbia synon luftë, ne jemi për paqe, nëse Serbia thërret për ndarje të territoreve në Ballkan, atëherë caku jonë është që Kosova të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO’s”, ka thënë ai.

Thaçi në fund ka theksuar se Ballkani ka nevojë për një vëmendje më të madhe të SHBA-ve dhe të BE-së.

“Ne edhe më tutje presim mbështetjen e kancelares Merkel, e cila ka qenë pothuajse evropiane e vetme që është angazhuar për tërë rajonin”, ka shtuar ai.

Gazeta BILD Zeitung ka mbi 20 milion lexues online dhe mbi 6 mijë lexues në versionin e shtypur, që përbën gazetën më të lexuar në Gjermani.