Mbrëmë, në media është raportuar se deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkretës i janë vjedhur 50 mijë euro në shtëpi, rast për të cilin ai ka njoftuar edhe organet e rendit. Lidhur me këtë, është deklaruar sot edhe vet deputeti Shkreta për çka e ka pranuar rastin e vjedhjes në shtëpinë e tij dhe njëkohësisht ka akuzuar mediat se po dezinformojnë.
Lidhur me faktin e raportimeve se Shkreta nuk i ka pasur të deklaruara në Agjencinë Anti-Korrupsion paratë e vjedhura në shtëpinë e tij, Shkreta thotë se është i rregullt në këto procedura, duke thënë se ai si mjek gëzon respekt.
Por, në deklarimin e pasurisë, për vitin 2022, 50 mijë eurot e Shkretës nuk figurojnë askund në deklarimin e pasurisë.
Shkreta i cili ka marrë detyrën e deputetit më 2 prill të vitit 2021 dhe e ka dorëzuar deklarimin e pasurisë më 29 mars të vitit 2022, në të dhënat e paraqitura nga AKK nuk figurojnë askund 50 mijë eurot.
Shkreta ka treguar gjithashtu se mban postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, atë të mjekut stomatolog dhe kirurgut oral në Dens-M dhe si profesor në UBT.
Edhe pse nuk qëndron shumë keq për nga pasuria, Shkreta tek pasuria e paluajtshme ka deklaruar shtëpi banimi në vlerë 200 mijë euro, lokal afarist në vlerë 27 mijë euro, banesë në vlerë 70 mijë euro, dhe tri lokale të tjera afariste që së bashku kapin shifrat e mbi 130 mijë euro.
Ai gjithashtu ka dy vetura të deklaruara që kapin vlerën e mbi 28 mijë euro, e gjithashtu aksione në një firmë.
Shkreta i ka mbi 100 mijë euro të deklaruara në banka të ndryshme, ndëra ka treguar në AKK edhe dy kredi të cilat i ka marrë në banka.
Shkreta i ka deklaruar edhe të hyrat vjetore të tij, prindërve e bashkëshortes por, askund nuk figuron shuma e parave të cilën u raportua në media që janë vjedhur, e që vet Shkreta e pranoi se një rast i tillë ka ndodhur – pa përmendur shifra. /Botapress.info/